Në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka pasur një diskutim mes asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Leutrim Retkoceri dhe asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Lahu.
Kjo pasi asamblisti i PDK-së teksa po diskutohej pika për subvencionimin e kompanisë “Pastrimi” i’a përmend asamblistit Lahu disa raportime në media për përfshirjen e tij në rastin “Brezovica”. Lahu parapakisht kishte folur për këtë në rend të ditës duke kërkuar shkarkim e menaxhimentit të ri të kompanisë “Pastrimi”.
Asamblisti Leutrim Retkoceri i tha asamblistit Lahu që para se të flas për pastrimin e qytetit të Prishtinës, të flet për “procesin e tij gjyqësor”.
“Berat Lahu para se të flas për pastërtinë e Prishtinës, duhet të flet njëherë për pastërtinë e tij në lidhje me procesin gjyqësor dhe si i ikur nga drejtësia. Para se me fol për mbeturina ju duhet me fol për akuzën të cilën tash e disa ditë qarkullon në media që je i përfshirë në rastin “Brezovica” dhe akuzohesh për keqpërdorim në pozitën që e ke pas. Është mirë me sqaru, se për me e ngrit një çështje tjetër duhet me qenë i pastër me vetën. Në 2017-ën ka qenë një bord dhe disa aksionarë të cilët janë zgjedhur në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë rast duhet t’i bëni mirë këto llogari dhe të flisni. Kur t’i dëgjojmë këto përgjigje është koha për të diskutuar se a dëshironi me pa Prishtinën më të pastër”, tha Retkoceri.
Lahu deklaroi se ato momente ka qenë në trajtim mjekësor në Belgjikë.
“Vetëvendosje ka 15 vite ekzistencë dhe çiftin e sojit tand dhe të mediave që quhen, janë organe propaganistike të partive të caktuara të grupeve të caktuara kriminale, e për fat të keq shumë prej tyre kanë qenë të tilla. Ka dalë në media, pa ditë unë hiç, e kam marrë vesh prej mediave. Ky është zakoni në Kosovë, që dikush njoftohet përmes mediave që qenka duke u kërkuar prej policisë ose edhe që qenka arrestu. Berat Lahu në momentin kur e ka pa këtë lajm, ka qenë në Belgjikë”, u shpreh Lahu.
“S’ka pas mundësi teorike, sado që jeni të tillë e keni kap shtetin. Është shpifë prej plotë mediave që kanë shpif kanë me u përball me padi. Ka qenë shpifje arrestimi edhe ajo që m`u ka bastis shtëpia, e shpifje u kanë edhe ai lajmi që unë jam në arrati. Unë i kam njoftu të gjitha organet në Kosovë, unë jam në trajtim mjekësor gjendem në spital e kam të pamundur më qenë në Kosovë ta keni parasysh që deri më datën 20 prill nuk jam aty. Unë e kuptoj që ti shpif se jeni mësu me atë, por duhet me u mësu me u përball me pasojat”, deklaroi tutje asamblisti i LVV-së.
Pas kësaj, asamblistit të PDK-së nuk iu dha mundësia e replikimit dhe si rrjedhojë gjithë grupi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lëshuan sallën e kuvendit komunal në shenjë revolte.
Disa zyrtarë janë arrestuar nga disa aksione të Prokurorisë në Ferizaj lidhur me rastin “Brezovica”. Të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
