Ministri francez i Çështjeve Evropiane, Clement Beaune, tha se anëtarët e Bashkimit Evropian mund të arrijnë një marrëveshje gjatë kësaj jave për propozimin e Komisionit Evropian për ndalesën e të gjitha importeve të naftës nga Rusia.
Ai shtoi se presidenti francez, Emmanuel Macron, më vonë gjatë 10 majit, do të bisedojë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për këtë çështje.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të hënën se ka bërë përparim në bisedimet me Orbanin, sa i përket kësaj çështjeje.
Më 4 maj, von der Leyen, prezantoi propozimin e KE-së, si pjesë e pakos së gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Komisioni parashikon që BE-ja të heqë dorë plotësisht nga nafta e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit. Por, për të miratuar këtë pako të gjashtë të sanksioneve kërkohet mbështetja unanime e 27 shteteve anëtare të bllokut evropian./ REL
