Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur sot.
Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare ‘Këshilli i Evropës – Council of Europe'”, ka thënë qeveria në një njoftim për media.
Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
“Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.
Kohë më parë është paralajmëruar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshill të Evropës në muajin maj.
Javë më parë gazetari gjerman Michael Martens në një shkrim në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung me titull “Rusia jashtë, Kosova brenda?”, ka raportuar se Kosova së shpejti mund të jetë anëtari më i ri i Këshillit të Evropës.
Martens në shkrimin e tij më tej thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në KiE pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.
