Deklarata e Pierre Cochard, ambasadorit francez në Serbi, i cili ka thënë se nuk e mbështesin veprimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, nuk është qëndrimi i Parisit zyrtar.
Kështu është shprehur Sharr Jakupi, shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ai në një përgjigje për Paparacin tha se këtë deklaratë e bazojnë në komunikimet që i kanë zhvilluar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës.
“Ajo çfarë ka deklaruar ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cochard, nuk është qëndrimi i Parisit zyrtar. Këtë e bazojmë në komunikimet që kemi pasur me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës por edhe me ambasadën e këtij shteti mik në Kosovë. Misioni francez në Kosovë vazhdimisht ka konfirmuar mbështetjen në Këshillin e Evropës”, theksoi Jakupi.
Megjithatë, Cochard ka thënë se mbështesin përpjekjet e Miroslav Lajcak dhe ftesën që kancelari gjerman ua kishte bërë, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, derisa ka thënë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka qenë vendim i njëanshëm dhe se Franca nuk e mbështet.
Këtë Cochard e ka thënë me arsyetimin se dialogu është prioritet.
“Ne mbështesim përpjekjet e Miroslav Lajçakut, mbështesim ftesën e Gjermanisë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Temat prioritare janë: Asociacioni i komunave serbe, energjia dhe çështjet e personave të pagjetur. Kjo është prioritet për ne”, ka thënë ambasadori i Francës në Serbi në një intervistë për TV Nova S.
Ai tutje ka deklaruar se i kuptojnë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në instancat evropiane dhe se mirëpresim qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve në Ukrainë, por thekson se veprimet e njëanshme nuk i bëjnë gjërat më të lehta dhe se çojnë në tensione.
I pyetur nëse Franca do të votojë për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, ambasadori Cochard tha se për momentin nuk është ngritur një pyetje e tillë, meqë do të kërkohet mendimi i Asamblesë Parlamentare dhe pastaj të rishqyrtohet kandidatura.
“Prioriteti i Francës është të bëjë gjithçka, së bashku me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Gjermaninë, për të vazhduar dialogun mbi baza të qëndrueshme dhe kjo është ajo që është urgjente. Pra, ne besojmë se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme dhe mund të mbytin një proces tashmë të ndërlikuar. e cila nuk ka përparuar shumë muajt e fundit”, është shprehur Cochard.
Të premten, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se do të jetë ndoshta për vendin, hapi më i rëndësishëm që nga pavarësia e vitit 2008 në rrugën tonë drejt rrugës evropiane.
Ajo tha se janë përgatitur për një proces të gjatë dhe nuk mund të flitet për afat të caktuar meqë nuk mund të parashikohet se sa zgjat i gjithë procesi dhe se në bazë të përvojave të shteteve të tjera që procesi ka zgjatur për periudha të ndryshme.
“Jemi të përgatitur mirë, sepse kushtet dhe normat e Këshillit të Europës jemi duke i aplikuar që nga dita e parë. Kosova është ndër shtetet e pakta dhe ndoshta shteti i vetëm që në Kushtetutën e saj e ka të inkorporuar drejtpërdrejt Këshillin e Europës dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”.
“Gëzojmë një përkrahje të gjerë politike brenda Këshillit të Europës, prandaj jemi njëkohësisht të kujdesshëm dhe mirënjohës, por edhe optimistë që homologët e mi në Këshillin Ministror me datën 20 maj do ta mirëpresin kërkesën tonë për anëtarësim”.
Gërvalla tha se tani është koha për të marrë vendimet e duhura dhe për “të shtrënguar radhët mes shoqërive të hapura dhe shteteve demokratike”.
Kryediplomatja kosovare tha se me anëtarësimin e Kosovës në KE fitojnë të gjithë dhe nuk humbet askush.
“Fitojnë edhe shqiptarët edhe të gjithë të tjerët, fiton edhe rajoni, shtetet e të cilit janë të gjitha anëtare të KE-së, fiton Këshilli duke e pranuar shtetin që është shndërruar në lider të demokracisë në rajon”. /Paparaci.com
