Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti u dekorua me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas.
Dekorata e dhënë më 13 maj, bëri deputetin e PDK-së, Hisen Berisha të reagojë pas tri ditësh.
Megjithatë, reagimi i tij nuk qe i gjatë pasi i njëjti pas 12 minutash e fshiu statusin e tij në Facebook.
Ai në këtë postim, në mënyrë indirekte e quajti kryeministrin Kurti mashtrues, duke e lidhur këtë epitet me statusin e veteranit të luftës çlirimtare të Kosovës.
Deputeti opozitar tha se shoqata e veteranëve është përgjegjëse për lëshimin e certifikatave “për lëshimin e certifikatave ndaj veteranëve mashtrues”.
Berisha tha se këtë ata e përdorën për të mashtruar mikun e armës shqiptare, senatorin Zach Nunn.
“Drejtuesi i luftës së UÇK-së nuk ishte 22-vjeçari që po i buzëqesh mashtrimit por nga dy krahët e luftës ishin: Hashim Thaçi UÇK dhe Ahmeti Krasniqi – ministria e Mbrojtjes së Kosovës”, thuhej në shkrimin e Berishës, e që më pas u fshi nga profili i tij në “Facebook”.
Më 13 maj, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës, Albin Kurti është nderuar nga Senati i Iowas.
Në një ceremoni të organizuar atje, ai u dekorua me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas.
Nga senatori Zach Nunn, ai pranoi medaljen me këtë motivacion:
Me kërkesë të senatorit nga Qarku Polk, Zach Nunn, Senati njeh dhe dekoron Kryeministrin Albin Kurti, me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas.
Kjo dekoratë, e projektuar nga senatori Zach Nunn, është një kryq maltez për qëndrueshmërinë e karakterit, e zbukuruar me stemën e shtetit të Iowas dhe e shënjuar me pikën referuese të Iowas, Kapitolin, që simbolizon përkushtimin ndaj shërbimi, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
“Albin Kurti në moshën 22 vjeçare udhëhoqi rezistencën kundër regjimit të Millosheviqit dhe kontribuoi në arritjen e lirisë së popullit të Kosovës”, thuhej tutja nga ZKM-ja.
“Kur filloi lufta në Kosovë, Kurti u angazhua për integritetin territorial me NATO-n, për t’iu rezistuar sulmeve të Serbisë, si dhe ndihmoi shpëtimin e shumë familjeve shqiptare brenda Kosovës”.
“Në shkurt 2020, Albin Kurti u zgjodh Kryeministër i Kosovës dhe vazhdoi partneritetin e palëkundur me udhëheqësit e biznesit, të industrisë dhe të bujqësisë në Iowa”.


