Të fundit

Tahiri: Qeveria urgjentisht t’i thotë “po” gazsjellësit të mbështetur nga SHBA-ja

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë që të marrë vendim pozitiv për projektin e gazsjellësit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kjo do të ishte përgjigja më e fuqishme kundër marrëveshjes Vuçiq-Putin.

Tahiri ka shkruar se marrëveshja e arritur mes dy presidentëve të Rusisë e Serbisë është dëshmi se ky i fundit po e manipulon Bashkimin Evropian dhe Perëndimin.

“Marrëveshja Vuçiq – Putin është një dëshmi e qartë se sa shumë Vuçiq po manipulon BE-në dhe Perëndimin në temat kryesore strategjike: Mbështetja për Ukrainën; Agjenda integruese në BE dhe Dialogu Kosovë – Serbi. Çfarë tjetër duhet bërë Serbia për të hapur sytë Brukseli zyrtar, apo atje ende po mendojnë se ‘Ballkani i Hapur’ është përgjigja!! Qeveria duhet urgjentisht të marrë vendim pozitiv për projektin e gazsjellësit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të ishte përgjigja më e fuqishme kundër marrëveshjes Vuçiq-Putin”, ka shkruar ai.

Lidhur me këtë çështje sot ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila.

“Ky është një veprim i planifikuar mirë i përkrahjes së agresorit (për të paktën tri vjet të tjera) dhe injorimit të plotë të përputhshmërisë me politikat e BE-së. Tani kushdo që del përpara duke mbrojtur atë që nuk ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur, është qartësisht që po anashkalohet”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë e kyçjes në rrjetin e Gazsjellësit të Trans-Adriatikut (TAP), pasi vitin e kaluar nuk e kishte shtyrë përpara një projekt të tillë, për shkak të kostos së lartë të tij.

Qeveria kishte thënë se ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit dhe termocentralit parashihej të kushtonte rreth 600 milionë euro. MCC-ja ishte zotuar për një grant prej 200 milionë eurosh. Refuzimin e këtij projekti e kishte kundërshtuar opozita.

Gazsjellësi i Trans-Adriatikut kishte marrë mbështetje në vitin 2003. Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016. Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë. Aty, tubacionet e gazsjellësit TAP lidhen me rrjetin italian të gazit natyror.

Nga pika ku fillon në Azerbajxhan e deri në Itali, tubacionet e gazsjellësit TAP, përshkojnë rreth 3.000 kilometra. Për herë të parë në fund të 2020, pas shumë përgatitjeve dhe testimeve, në tubacionet e TAP-it, filloi të rrjedhë gazi i lëngshëm e që arriti në Itali në fillim të 2021-ës.

TAP në të ardhmen pritet të furnizojë me gaz natyror edhe shtetet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, që tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e një objekti grumbullues të gazit. Më vonë, Shqipëria pritet të kyçet.

Pas shtrirjes së gypave të gazit në Maqedoni të Veriut, qeveritë e kaluara në Kosovë kishin planifikuar të ndërtonin rrjetin e gazsjellësit për t’u lidhur me këtë shtet.

Ndërsa për të mos qenë krejtësisht e varur nga gazi rus, Bullgaria nisi ndërtimin e infrastrukturë së gazit në distancë 182 kilometra në drejtim të Greqisë. Projekti për shkak të vonesave pritet të jetë funksional më 2022.

Video nga Paradoks

VV SHOW - A ma shumë ka gjasa që LDK të bëjë kualicion me Vetvendosjen, apo të rrëzohet Abdixhiku

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci