Florent Ramqaj kërkonte llogari nga aktorët politikë dhe dënime të ashpra nga gjykatat për skandalet korruptive të zbuluara nga mediat.
Këshilltari i ministrit Liburn Aliu, emri i të cilit është lidhur me një aferë korruptive të dëshmuar përmes një audio-inicizimi, bënte thirrje për dënimin e të implikuarve në skandalin e vjedhjes së votave të deputetes së AAK-së, Albana Bytyçi.
Asokohe, skandali i dyshuar i vjedhjes së votave brenda listës për deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ishte nxjerrë në dritë nga një video-përgjim i publikuar në media.
“Të gjithë komisionerët që janë paguar për të bërë këtë vepër penale duhet të dënohen pa marrë parasysh të cilit subjekt janë”, shkruante Ramqaj më 6 mars të vitit të kaluar, raporton Paparaci.

Kur Policia e Kosovës arrestoi një epror të Administratës Tatimore të Kosovës në Gjilan, Ramqaj ngriti dyshime edhe mbi funksionimin e Policisë së Kosovës në periudhën e qeverisjeve të kaluara.
Ramqaj dyshonte se Departamenti i Krimeve Ekonomike të policisë i kishte amnistuar të dyshuarit për korrupsion.
“Qeveria e re duhet të kërkoj llogari nga Krimet Ekonomike se pse nuk i kanë bërë këto arrestime më herët?”, pyeste Ramqaj në një cicërimë në rrjetin social Twitter, në mars të vitit të kaluar.

“Çdo njeri për keqpërdorim të detyrës zyrtare duhet të arrestohet”, bënte thirrje ai.
Të mërkurën, emri i Florent Ramqajt është ndërlidhur me një aferë korruptive të ryshfetit e cila dëshmohet në një audio-përgjim të publikuar nga Gazeta Nacionale.
Përgjimi dëshmon se si një përfaqësues i kompanisë private të projektimeve ndërtimore, “Infratek”, e cila është në pronësi të dajës së këshilltarit Ramqaj, kërkon ryshfet nga një përfaqësues i një biznesi tjetër privat për dorëzimin e një raporti pranë Ministrisë së Infrastrukturës për punët e kryera për një projekt rrugor.
“Infratek, në pronësi të Halil Jahajt, dajës së Ramqajt, ishte e angazhuar nga Ministria për dorëzimin e raporteve rreth punimeve të kryera në rrugën Gjakovë-Dollc.
Por siç dëshmohet në përgjim, Idriz Shala, një përfaqësues i kompanisë “Infratek”, i kërkon ryshfet një përfaqësuesi të një kompanie private në këmbim të “dritës së gjelbër” për punimet e kryera në projekt.
Në një reagim publik të mërkurën mbrëma, Ramqaj mohoi të jetë i lidhur me aferën korruptive.
“Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme”, tha këshilltari i ministrit Aliu.
“Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, tha ai.
Ramqaj është emëruar këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës pas fitores me 50 për qind të votave të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet nacionale të vitit 2021.
