Të fundit

Kurdisja e konkursit në KEK, anëtari i Postës mohon nepotizmin – paralajmëron padi

Kontabilisti Gëzim Paci, i cili është përzgjedhur në një pozitë menaxhariale në KEK, thotë se nuk ka lidhje të afërta familjare me dy zyrtarët e lartë të ndërmarrjes publike; Ismet Vrapçani dhe Gani Pacolli. Mohon se të njëjtit kanë pasur ndikim për punësimin e tij në ndërmarrjen publike, raporton Paparaci.

I emëruari i Qeverisë Kurti në Bordin e Drejtorëve të Postës në janar të këtij viti, teksa e pranoi se e ushtron edhe këtë funksion, thotë se me asnjërin prej tyre nuk ka ndërlidhje që paraqet konflikt interesi, për pranimin e tij në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Megjithatë, ai nuk e ka mohuar raportimin e Paparacit se është pranuar në KEK.

Sidoqoftë, pranimi i tij në këtë institucion i ka paraprirë një proces i dyshimtë rekrutues, tregojnë informatat që ka siguruar Paparaci.

Paci në një përgjigje me shkrim për Paparacin u shpreh se konkursi nuk është përshtatur që ai të punësohet në ndërmarrje, ndonëse testi me shkrim për pozitën e punës në të cilën është përzgjedhur ai, është kryer në gjuhën angleze, pavarësisht se gjuhë zyrtare në Kosovë janë gjuha shqipe dhe serbe.

Kësisoj, një numër i madh aplikantësh janë diskriminuar gjatë procesit të rekrutimit.

Rrjedhimisht, konkursi për pozitën “Menaxher i Pasurisë” është përgatitur në atë mënyrë që t’i përshtatej vetëm një kandidati: Gëzim Pacit.

“Ndërsa, që testimi me shkrim ka qenë në gjuhën angleze, kjo nuk ka të bëj absolutisht me diskriminimin, por, me zotësi dhe aftësi profesionale”, thotë Paci, në një përgjigje me shkrim për mediumin.

Përpos shkeljeve ligjore, punësimi i Pacit përbën edhe shkelje nepotiste dhe etike.

I afërmi i Pacit, Vrapçani që është zyrtar i Auditimit në KEK, dyshohet se ndikoi në punësimin e djalit të tij, Nol Vrapçani, në një konkurs të anuluar pas evidentimit të shkeljeve ligjore dhe nepotiste në konkursin për 127 pozita të lira të punës në korporatë.

Ndërkohë tezaku i Pacit, Gani Pacolli mban pozitën si zyrtar përgjegjës për përpilim të kontratave në KEK dhe jashtë.

Por, gjatë intervistimit me gojë nga komisioni pranues, Paci ka mohuar të ketë lidhje familjare me të punësuarit në KEK, i kanë thënë Paparacit burimet brenda ndërmarrjes.

“Ai është përgjigjur me ‘jo’ kur është pyetur se ‘a është ndonjë nga familjarët tuaj i punësuar në KEK”, ka thënë i njëjti burim.

Përgjigja e tij para anëtarëve të komisionit pranues mund të bie ndesh me nenin 355 të Kodit Penal të Kosovës, i cili i dënon veprat penale të ‘mashtrimit’ dhe ‘lajthitjes’.

Në anën tjetër, ai theksoi se “deri më sot, çdo gjë që kam arritur në jetë, është bazuar në moralin, dijen dhe aftësitë e mia profesionale. Prandaj, njollosja e emrit dhe integritetit tim personal dhe profesional me shpifje dhe të pavërteta është i patolerueshëm”.

Krejt në fund, ai paralajmëroi padi ndaj mediumit nëse nuk tërhiqet lajmi.

“Ju këshilloj që të tërhiqni lajmin që sot dhe të kërkoni falje publike për këto informata të pavërteta, përndryshe, jam i detyruar që nesër të ngris padi për shpifje, njollosje dhe cenim të integritetit ndaj jush dhe “pseudo-portalit” Paparaci”, përfundoi ai.

Paparaci gjatë ditës së sotme raportoi për punësimin e Gëzim Pacit në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai do të ia fillojë punës të premten e 3 qershorit.

Gëzim Paci vazhdon të ushtrojë funksionin e anëtarit të Bordit në Postë, bazuar në të dhënat e publikuara në uebfaqen e Postës së Kosovës.

Sqarime lidhur me punësimin e anëtarit të Bordit të Postës, nuk ka dhënë Korporata Energjetike e Kosovës, të cilës mediumi i ka dërguar pyetje me shkrim.

Më 6 maj të këtij viti, KEK-u anuloi një konkurs skandaloz të shpallur për plotësimin e 127 pozitave të lira të punës, në të cilin u punësuan familjarë të funksionarëve të LVV-së në Obiliq, si dhe të afërm me anëtarët e komisionit pranues.

Lajmin e kishte bërë të ditur KEK-u përmes një njoftimi për media. Konkursi i ri për plotësimin e këtyre pozitave nuk është hapur ende.

Vazhdon nepotizmi në KEK, kurdiset konkursi për anëtarin e Bordit të Postës

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci