Të fundit

Vazhdon nepotizmi në KEK, kurdiset konkursi për anëtarin e Bordit të Postës

Tetë muaj pas emërimit në Bordin Mbikëqyrës të Postës me vendim të Qeverisë së Kosovës, kontabilisti Gëzim Paci është punësuar në një pozitë menaxheriale në KEK, ka mësuar Paparaci nga burimet. Konkursi dyshohet se është kurdisur me kriteret që i shkojnë përshtat vetëm një kandidati.

Besfort Veseli

Gëzim Paci, një anëtar i Bordit të Postës së Kosovës, pritet të fillojë punë të re në Korporatën Energjetike të Kosovës të premten e 3 qershorit.

Tetë muaj pas emërimit në Bordin Mbikëqyrës të Postës me vendim të Qeverisë së Kosovës, kontabilisti Gëzim Paci është punësuar në një pozitë menaxheriale në KEK, ka mësuar Paparaci nga burimet.

Punësimi i të përzgjedhurit të Qeverisë së Kosovës për mbikëqyrjen e Bordit të Postës i ka paraprirë një proces i dyshimtë rekrutues, tregojnë informatat që ka siguruar Paparaci.

Konkursi për pozitën “Menaxher i Pasurisë” është përgatitur në atë mënyrë që t’i përshtatej vetëm një kandidati: Gëzim Pacit.

Bazuar në informatat e burimeve, testi me shkrim për pozitën e punës në të cilën është përzgjedhur ai, është kryer në gjuhën angleze. Kësisoj, një numër i madh aplikantësh janë diskriminuar gjatë procesit të rekrutimit.

Përpos shkeljeve ligjore, punësimi i Pacit përbën edhe shkelje nepotiste dhe etike.

Kontabilisti i certifikuar në Kosovë ka lidhje të ngushta familjare me dy zyrtarë të lartë të KEK-ut, të cilin ishin përfshirë në aferën e punësimit në korporatë – kryesisht në baza nepotiste – të 128 personave në muajin mars të këtij viti.

Paparaci, ka mësuar se Gëzim Paci është familjar i zyrtarit të lartë të Auditimit në KEK, Ismet Vrapçani, i cili dyshohet se ndikoi në punësimin e djalit të tij, Nol Vrapçani, në një konkurs të anuluar pas evidentimit të shkeljeve ligjore dhe nepotiste në konkursin për 127 pozita të lira të punës në korporatë.

Gëzim Paci poashtu është tezak, kushëri i afërt i Gani Pacollit zyrtar përgjegjës për përpilim të kontratave në KEK dhe jashtë.

Por, gjatë intervistimit me gojë nga komisioni pranues, Paci ka mohuar të ketë lidhje familjare me të punësuarit në KEK, i kanë thënë Paparacit burimet brenda ndërmarrjes.

“Ai është përgjigjur me ‘jo’ kur është pyetur se ‘a është ndonjë nga familjarët tuaj i punësuar në KEK”, ka thënë i njëjti burim.

Përgjigja e tij para anëtarëve të komisionit pranues mund të bie ndesh me nenin 355 të Kodit Penal të Kosovës, i cili i dënon veprat penale të ‘mashtrimit’ dhe ‘lajthitjes’.

Gëzim Paci vazhdon të ushtrojë funksionin e anëtarit të Bordit në Postë, bazuar në të dhënat e publikuara në uebfaqen e Postës së Kosovës.

Bordi i Drejtorëve në Postin e Kosovës

Paparaci i ka dërguar pyetje me shkrim Gëzim Pacit të enjten, por ai nuk i ka kthyer përgjigje mediumit deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. Sqarime lidhur me punësimin e anëtarit të Bordit të Postës, nuk ka dhënë as Korporata Energjetike e Kosovës, të cilës mediumi po ashtu i ka dërguar pyetje me shkrim.

Më 6 maj të këtij viti, KEK-u anuloi një konkurs skandaloz të shpallur për plotësimin e 127 pozitave të lira të punës, në të cilin u punësuan familjarë të funksionarëve të LVV-së në Obiliq, si dhe të afërm me anëtarët e komisionit pranues.

Lajmin e kishte bërë të ditur KEK-u përmes një njoftimi për media.

“Duke u bazuar në rekomandimet e komisionit të pavarur, z. Nagip Krasniqi, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhej në njoftim.

Konkursi i ri për plotësimin e këtyre pozitave nuk është hapur ende.

Nepotizëm, konflikt interesi, punësime militantësh – krimi i pushtetit me punësime në KEK

 

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci