Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka komentuar me ironi ndaj mediave akuzën e analistit serb, Dushan Janjiç, ndaj Richard Grenell, ish-zyrtarit të Administratës Trump.
Manxhuka është marrë me mediat e vendit, të cilat sipas tij, “nxirrnin lajme ekskluzive nga Grenelli” në kohën e qeverisë Kurti I.
“Ku janë disa që na nxirrnin çdo ditë ‘lajme ekskluzive’ nga Grenelli, ata që kujdeseshin për PR-in e tij në Kosovë?!”, ka thënë Manxhuka përmes një shkrimi të shkurtër në Facebook, menjëherë pas përphapjes së deklaratës së Janjiç se “Grenell paguhet 100 mijë dollarë nga Serbia për lobim”.
Manxhuka, i cili është zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunikim me Media, nuk ka komentuar deklaratën e Janjiçit.
Grenell, të hënën ka mohuar akuzat e Janjiçit ndaj tij. Ato, i ka quajtur të pavërteta dhe të turpshme.
