Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e udhëhequr nga ai, vazhdimisht dhe publikisht kanë shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, shefi i qeverisë ka shkelur dinjitetin e secilit prej tyre.
Ai shprehet se protesta e nesërme e veteranëve të UÇK-së është legjitime dhe e drejtë.
“Veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon. Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t’i përkrahë kërkesat e tyre të drejta”, shkroi i pari i Partisë Demokratike në Facebook.
“Qeveria duhet ta kuptojë sa më parë që veteranët nuk janë barrë për këtë shoqëri, por patriotë që meritojnë respektin e plotë të secilit. Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve është absurde, e paarsyeshme dhe duhet të ndryshojë menjëherë”, theksoi Krasniqi në një postim në Facebook.
