Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka ftuar qytetarët të marrin pjesë të enjten në protestën e organizuar nga veteranët e luftës së UÇK-së, lidhur me pagën minimale. Takimi siç njoftoi ai do të zhvillohet në ora 09:30 para objektit të qeverisë dhe kuvendit.
Molliqaj tha se përpjekja më e lavdishme e historisë sonë po luftohet, teksa shtoi se ata që lanë peng jetën e tyre për lirinë tonë, sot po nëpërkëmben.
Sipas tij, Kosova kurrë nuk ka pasur qeveri kaq agresive përballë veteranëve të UÇK-së.
“Kurrë s’kemi pasur të tillë pushtet që refuzon çdo kërkesë e nevojë të ish-luftëtarëve të lirisë, ndërkohë që u jep miliona bizneseve të mëdha e të fuqishme. Arrogancës së tyre do t’i përgjigjemi me rezistencë. Sepse pa protestë, këta s’dijnë të ndalen”, shkroi ai në Facebook.
“Prandaj ju ftoj sonte, që nesër të bëhemi bashkë. Të mblidhemi para Qeverisë e Kuvendit, në orën 09:30, në mbrojtje të veteranëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës për liri”.
