Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka paralajmëruar padi civile ndaj mediumit online “Paparaci” ndaj artikullit të publikuar të enjten me titull: “Ish-bashkëpunëtori i Danica Marinkoviqit i jep përkrahje pushtetit për vettingun”.
Paparaci, raportoi të enjten për përkrahjen që i ka dhënë zhvillimit të procesit të vettingut në drejtësi ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pa përkrahjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Përpos përplasjeve të brendshme në qëndrime brenda sistemit prokurorial, artikulli po ashtu vë në dritë karrierën e u.d. të Kryeprokurorit si ish-bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në periudhën e viteve 90′ dhe bashkëpunimin e tij me ish-gjyqtaren serbe në Prishtinë, Danica Marinkoviq.
E kaluara e prokurorit Kelmendi si i punësuar në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë para luftës në Kosovë, është deklaruar nga u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit edhe në CV-në e tij zyrtare që është e publikuar në uebfaqen e Prokurorisë së Shtetit.
Por, Zyra e Kryeprokurorit i ka quajtur “shpifje” informatat e publikuara nga “Paparaci”, në një reagim për media të premten.
Kryeprokurori ka paralajmëruar padi ndaj mediumit.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin se U.D. Kryeprokurori i Shtetit do të shfrytëzojë rrugët ligjore për t’iu drejtuar Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), për shkelje të kodit të etikës gazetareske, si dhe gjykatës kompetente me padi për shpifje dhe ofendime, duke përfshirë edhe kompensimin e dëmit që i është shkaktuar me anë të këtij shkrimi U.D. Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Zyra e Kryeprokurorit.
Kelmendi, i kontaktuar nga Paparaci të enjten, e ka pranuar se ka punuar në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, por e ka mohuar bashkëpunimin me ishgjyqtaren Danica Marinkoviq.
Ish-bashkëpunëtori i Danica Marinkoviqit i jep përkrahje pushtetit për vettingun
