Ish-prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh, e cila kishte sinjalizuar për korrupsion brenda këtij misioni, sot ka mbajtur një konferencë për media në Prishtinë.
Ajo ka folur për përfshirjen e zyrtarëve të EULEX-it në afera për mbylljen e rastit penal kundër Ilir Tolajt dhe për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça” , ndërsa menjëherë pas përfundimit të konferencës, ajo mori ftesë për intervistim nga Prokuroria në Prishtinë.
Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, tha se ftesa është bërë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës së Bamieh viteve të kaluara.
“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës nga znj. Maria Bamieh viteve të kaluara, i ka bërë ftesë për intervistim të njëjtës, pas zhvillimit të konferencës së sotme”, ka thënë Ulaj
