Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri ka thënë se komuna nuk do të përfshihet në përzgjedhjen e kryetarit të ri të klubit të futbollit, Gjilani.
Kryetari i deritanishëm i SC Gjilan, Florim Zuka së bashku me kryesinë e klubit kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në klub, duke e lënë klubin pa “zot shtëpie”.
Në postimin e tij ku njoftoi për dorëheqjen nga klubi, Zuka kishte ftuar institucionet komunale dhe donatorët e ndryshëm ta ndihmojnë klubin për zgjedhjen e një kryesie të re.
“Ftojmë të gjithë sportdashësit, donatorët, përfaqësuesit e Institucioneve Komunale, dhe çdo person tjetër të interesuar që të jap kontributin e vet në krijimin e një kryesie të re në mënyrë që SC Gjilani të vazhdojë tutje drejt synimit të përbashkët, Titullit Kampion”, tha të hënën Zuka.
Vendimi i Zukës e ka zënë në befasi komunën. Ajo ndodhet në udhëkryq: nëse do të ndërhyjë në çështjet e klubit, i cili funksionin si biznes privat apo të pres rrjedhën e zhvillimeve të brendshme mes Zukës dhe investitorëve potencial të rinj.
Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri ka thënë për Paparacin se komuna nuk ka gisht në zgjedhjen e kryesisë së re të klubit, pasi që SC Gjilani është i regjistruar si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara – SHPK.
“Është akoma herët të flasim për kryesinë e re, pasi që Florim Zuka ka dhënë dorëheqje dje, si dhe Gjilani është i regjistruar si SH.P.K. dhe ne nuk kemi gisht aty. Megjithatë do të shikojmë se si mund ta ndihmojmë klubin”, ka thënë Zeqiri për Paparacin.

Paparaci ka tentuar të marrë një përgjigje nga Florim Zuka, por ish-presidenti nuk ka qenë i qasshëm në telefon të martën.
Zuka ka qenë në krye të SC Gjilani nga vitin 2017, teksa dorëheqja e tij ka dhuruar si pasojë e mos përmbushjes së objektivave, titulli kampion. /Paparaci.com
