Laurit Krasniqi, një futbollist i ri me origjinë nga Kosova, është vendosur në formacionin bazë të skuadrës belge, Antwerp, për ndeshjen ndaj Dritës së Gjilanit në Ligën e Konferencës.
Krasniqi, i cili ka zhvilluar vetëm një ndeshje për skuadrën e parë të Antwerpit, është një mbrojtës i krahut të majtë. Ai është vetëm 21-vjeçar, raporton Paparaci.
Ai ka lindur në Kosovë dhe ka përfunduar në Belgjikë pas luftës, ku ka emigruar me famijen e tij.
“Kam mësuar të luaj futboll në kampet e refugjatëve”, tha Krasniqi të mërkurën në një deklaratë për Nieuwsblad.be.
Ndërkaq, trajneri i Dritës, Adrian Nuhiu ka vendosur të luajë më sistemin 4-3-3.
Në portë është Faton Maloku, kurse vija e mbrojtjes përbëhet nga Besnik Krasniqi, Ardian Limani, Keita Balde dhe Ilir Blakçori. Në mesfushë janë vendosur Rron Broja, Muharrem Jashari, kurse sulmit i prinë qendërsulmuesi Marko Simonovski i përkrahur nga krahët prej Arbnor Mujës e Almir Ajzerajt.
Ndeshja mes Antwerpit dhe Dritës është e vlefshme për raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
