Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të shtunën, ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), përmes të cilit është amnistuar trupi gjykues i cili kishte përdorur gjuhë seksiste dhe paragjykuese ndaj të dëmtuarës në një aktgjykim.
Gjykata Themelore në Gjilan i kishte liruar nga akuza pesë të dyshuar për dhunimin e një 19-vjeçareje, duke përdorur gjuhë seksiste dhe arsyetim absurd.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksonte se “viktima ka pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin, përkundër se e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore,” duke e cilësuar viktimën si “person me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral.” Po ashtu, Gjykata kishte konstatuar se “të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se viktima ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale.”
Pavarësisht se ishte iniciuar rast disiplinor, KGJK kundërligjshëm e ka hedhur poshtë këtë rast, me arsyetimin se shkelja e supozuar disiplinore ka arritur parashkrimin absolut.
“Ky vendim i KGJK është i pabazë. Ligji Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve ka hyrë në fuqi më 10 janar 2019. Ky Ligj [neni 10] përcakton se afati i parashkrimit të shkeljes disiplinore është 5 vite. Pikërisht kjo dispozitë është dashur të aplikohej në rastin konkret, e jo dispozita që tanimë është e shfuqizuar e të cilës i referohet KGJK. Kjo pasi ky Ligj [neni 17.4] përcakton se “[m]e hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha ankesat lidhur me shkeljet e supozuara disiplinore, përfshirë ato që pretendohet të jenë kryer para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por për të cilat nuk ka filluar hetimi, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të procedohen nga autoritetet kompetente dhe këshillat, në pajtim me këtë ligj”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
“Kështu, në rastin konkret, ligji është plotësisht i qartë, se edhe në rastet kur shkeljet e supozuara disiplinore kanë ndodhur para hyrjes në fuqi të ligjit të ri por për të cilat nuk ka filluar procedura (që është rasti konkret) vlejnë dispozitat e ligjit të ri, ku bën pjesë edhe afati i parashkrimit”, përfundon komunikata.
Gjykata e Gjilanit përdor arsyetim skandaloz në një rast dhunimi
