Paris Hilton dhe Carter Reum u kurorëzuan të enjten në një ceremoni luksoze me rreth 200 të ftuar. Dasma vazhdoi plot 3 ditë, duke u pasuar me një karnavale të mbushur me festime në Santa Monica Pier.
Paris veshi një fustan dasme të frymëzuar nga Barbie për festën të premten në mbrëmje. Fustani ishte i markës Alice + Olivia, stiluar nga Stacey Bendet, dhe kishte detaje tyli rozë neoni me kristale e mëngë rrjetë. Ajo e përfundoi pamjen me syze dielli në formë zemre dhe me një vello rozë neon.

Hilton publikoi disa nga momentet argëtuese në Instagram, duke postuar disa foto dhe klipe duke kërcyer me bashkëshortin Reum, motrën Nicky Hilton, vëllain Barron Hilton II, një mori influencuesish të mediave sociale dhe DJ Diplo, i cili e mbajti festën të gjallë me muzikën e tij deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Të ftuarit u argëtuan duke luajtur disa lojëra gjatë natës, përfshirë elementin kryesor të karnavaleve “Ring Toss”, ku lojtarët fitonin jastëkë me imazhin e Paris, në vend të kafshëve prej pellushi.

Pak para karnavaleve, Hilton shkroi në uebsajtin personal për jetën e saj të re.
“Kam jetuar një jetë shumë unike në sytë e publikut gjatë dy dekadave të fundit dhe gjatë viteve, kam qenë gjithmonë në kërkim të partnerit tim”, ka shkruar ajo. “Jo vetëm dikë me të cilin do të ndaj ëndrrat e mia, por edhe një burrë për të ndërtuar një të ardhme së bashku. Po kërkoja të barabartën time. Dikush që nuk ishte i magjepsur me ‘Paris Hilton’, por përkundrazi, dikush që më pa mua të vërtetë dhe më donte për këtë që isha. Dikush që është i dashur dhe i sjellshëm. Dikush që të jetë baba për fëmijët e mi të ardhshëm. Jam shumë krenare për historinë time të dashurisë me Carter, dhe akoma më e emocionuar që sapo ka filluar. Kapitulli im i ardhshëm si bashkëshorte do të jetë më i miri deri më tani.”

