Mediumi ‘Informer’ ka publikuar fotografi të posterit, përkatësisht mohimit për të cilin ka folur dje presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili do të shfaqet në vendkalimet administrative dhe “që ka qenë kusht që Beogradi të pranojë letërnjoftime të lëshuara nga Prishtina”.
Në atë “mohim” sipas mediumit serb të afërm me Vuçiqin shkruhet: “Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe nuk paragjykon përcaktimin e statusin përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Tutje u tha se “kjo shenjë që do të vendoset në vendkalimet administrative është vetëm një tjetër dëshmi se nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës”.
Ndërkohë, sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Vuçiq tha se ato mund të lëshohen, por shtoi se për Serbinë është e rëndësishme që serbët nga Kosova që kanë dokumente serbe të mund të lëvizin dhe hyjnë e të dalin nga Kosova.
Ai tha se Serbia do të pranojë dokumentet e Kosovës, por me një kusht, që për to të ketë një shënim (deklaratë).

