Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se pret nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që t’i shohë palët të barabarta sa i përket grevës së punëtorëve të sektorit publik.
Jasharaj ka thënë pas takimit që ka pasur të premten me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, se presin nga Osmani që ajo të kontribuojë në dialog të mirëfilltë të sindikatave me qeverinë.
“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që kushdo që mundet ta bëjë një hap pozitiv drejt dialogut. I kemi thënë kabinetit të saj po dhe jemi në pritje, datë nuk kemi. Uroj që presidentja t’i shohë palët të barabarta. Po urojmë edhe te zoti që ajo të kontribuojë që dialogu i mirëfilltë të fillojë dhe kemi shpresa edhe te ajo që do të bëjë ndonjë hap pozitiv”, ka thënë Jasharaj.
Abdixhiku pas takimit me sindikalistët: Ndalja e pagave është joligjore

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se ndalja e pagave për punëtorët që janë në grevë është e papranueshme dhe joligjore.
Ai pas takimit me Kryetarin e Këshillit Grevist të BSPK, Rrahman Jashari dhe nënkryetarin i Këshillit Grevist, Ali Gashi, sa i përket mosekzekutimi të pagave për punëtorët e sektorit publik, shtoi se Kosova ka nevojë për qetësi jo për konflikte.
Sipas tij, është shqetësuese situata e krijuar pas grevës së shpallur në të gjitha nivelet në arsim.
“Kam dëgjuar kërkesat e tyre dhe kam shprehur shqetësimin tonë mbi këtë grevë dhe konsiderojmë se duhet të ketë një dialog ndërmjet Qeverisë dhe BSPK është imperiativ, pra është bazë e funksionimit shoqëror të Kosovës dhe kemi nevojë për dialog që fëmijët tanë të kthehen në shkollë”, tha Abdixhiku.
Ky takim vjen pasi Qeveria e Kosovës ua ka bllokuar pagat mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë nëpër komuna, që janë në grevë nga 25 gushti.
Pas Abdixhikut, ata pritet të takohen edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.
