Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka deklaruar se vizita e kryeministres serbe Ana Bërnabiq është e një rëndësie të madhe për serbët në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit, duke shtuar se kryeministrja e Serbisë do të dëgjojë nevojat e qytetarëve nga Leposaviqi deri në Ranillug.
Jevtiq shtoi se sot do të ketë mundësinë të bisedojë me kryeministren për jetën dhe nevojat e serbëve jo vetëm në Shtërpce, por në përgjithësi të serbëve të Kosovës, transmeton Paparaci.
Ai ka theksuar se vizita e Bërnabiqit vjen në një kohë kur jeta e serbëve të Kosovës “është e vështirë dhe nën tension të vazhdueshëm”, por edhe në kohën kur “angazhimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq parandaloi përshkallëzimin e tensioneve, veçanërisht në veri të Kosovës”, e kryen detyrën Jevtiq, për të lavdëruar shefin e tij.
Jevtiq theksoi se vizita e kryeministres së Serbisë është mesazh i qartë se qeveria serbe “kujdeset për serbët e Kosovës”.
“Për mua personalisht fakti që zonja Bërnabiq do të jetë sot me serbët e Kosovës, se do të ketë mundësinë të dëgjojë edhe një herë nga serbët në jug të Ibrit me çfarë problemesh po përballemi, cilat janë nevojat tona dhe çfarë duhet të bëjmë së bashku në të ardhmen për të zgjidhur të gjitha problemet dhe sfidat. Jam i sigurt që kryeministrja Bërnabiq njësoj si presidenti Vuçiq, nuk vjen vetëm të dëgjojë, por edhe të zgjidhë problemet me të cilat sot jetojnë serbët nga Shtërpca deri në Leposaviq dhe nga Gorazhdeci e deri në Ranillug”, ka thënë Jevtiq./Paparaci
