Të fundit

“U dënua veç me gjobë”, aktivistja rrëfen se si ish-arsimtari e ngacmoi seksualisht për tri vjet

Aktivistja nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Medinë Dauti është rrëfyer në llogarinë e saj në Facebook se si për tri vjet radhazi ishte ngacmuar seksualisht dhe jo vetëm aq nga ish-arsimtari i saj që punon në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, Kastriot Kurti.

Ajo tregoi se më 29 dhjetor 2021, Kurtin e ka raportuar në Policinë e Kosovës për shkak se e kishte ngacmuar seksualisht që nga viti 2019.

Megjithatë, ajo tha se për tre vite ngacmim, Gjykata e dënoi kurtin vetëm me 1200 euro gjobë.

“Ish-arsimtari im Kastriot Kurti, në vitin 2019 më ka thënë se dëshironte të hynte në lidhje dashurie me mua. Unë e refuzova qartë dhe prerë, por ai vazhdoi të më shqetësojë e të më ngacmojë seksualisht për tri vite dhe nuk u ndal as pasi e raportova në polici, e as pasi që gjykata e shpalli fajtor për ngacmim”, shkroi ajo.

Sipas saj, për tri vite, ai shfaqej dhe afrohej në secilën hapësirë që ajo ishte, kafiteri, rrugë, apo evente të ndryshme.

Ajo thotë Kurti vinte për t’i folur dhe tentonte ta përqafonte e ulej në tavolinë kundër vullnetit të saj.

“Unë e pata bllokuar Kastriotin në çdo rrjet social, por ai vazhdoi të më shkruante me profile të rrejshme, madje një herë edhe nga llogaria e familjares së tij. Ai ka qenë edhe asistent i jashtëm në të njëjtin fakultet ku unë studioja, për mua as ajo hapësirë nuk ka qenë e sigurt”.

Dauti shtoi se përpos përndjekjes dhe presionit të madh ndaj saj, Kurti kishte filluar t’i shkruante edhe familjarëve të saj e shoqërisë, teksa vazhdonte ta ngacmonte edhe kur të gjithë këta i thoshin që të mos ta shqetësonte më.

“Pas krejt kësaj katrahure me frikë, ankth e shqetësim të vazhdueshëm, vendosa t’i drejtohem organeve të drejtësisë – pavarësisht dilemave që i kisha në funksionimin e tyre. Fatkeqësisht, të gjitha këto dilema që doja t’i sfidoja dhe doja që të më vërtetohej e kundërta – përfaqësuesit seksistë të këtyre institucioneve në Gjilan, më përplasën për fytyre realitetin që veç se e dija”

“Fillimisht, prokurorja përgjegjëse e rastit, Slavica Popovic, veprimet e Kastriot Kurtit i cilësoi vetëm si “ngacmim” e jo edhe si “ngacmim seksual”, përkundër që denoncimin e kisha bërë për të dy këto vepra dhe përkundër faktit që avokatja ime, Rina Kika, vazhdimisht kishte kërkuar që aktakuza të ndryshohej dhe krahas veprës penale “Ngacmim” aktakuza të përfshinte edhe “Ngacmimin seksual” për t’i mbuluar të gjitha veprimet kriminale të Kastriot Kurtit. 64 faqe dëshmi, 1 video incizim dhe 6 dëshmitarë nuk mjaftuan për t’i bindur institucionet se vepra ishte ngacmim seksual”.

“Prokurorja e rastit Slavica Popovic nuk erdhi në seancën e shqyrtimit kryesor, atë e zëvendësoi prokurorja Kujtesa Fazliu, e cila dukej qartazi se as që e kishte lexuar lëndën. Kur avokatja ime e pyeti nëse ishte në dijeni për kërkesën për rikualifikim të veprës penale, Prokurorja u përgjigj se “pak a shumë” ishte në dijeni për lëndën. Me “pak a shumë” dijeni për lëndën kishte ardhur në seancën gjyqësore të shqyrtimit kryesor”, theksoi ajo.

“Gjyqtari i vetëm gjykues Rilind Sermaxhaj, me 12 gusht 2022, për tri vite torturë psiqike, ngacmim, shqetësim dhe frikë, e dënoi Kastriot Kurtin vetëm me gjobë 1200 euro. Praktikisht, 1 euro dita, për 1095+ ditë ngacmim. Çka e bën më shqetësues këtë dënim është që gjyqtari ia pranoi si rrethana lehtësuese Kastriot Kurtit: kërkim faljen dhe premtimin e tij se nuk do ta përsëriste më veprën penale – Zoti Gjykatës, nuk e morri parasysh kur avokatja ime ia sqaroi që kërkim falja nuk duhet të pranohet, sepse i njëjti kishte kërkuar falje për tri vite, dhe prapë kishte vazhduar të më ngacmonte! Ndërsa, në gjykatë asnjëherë nuk ka deklaruar se nuk do ta përsërisë më veprën penale”.

Ajo tha gjoba 1200 euro është thellësisht denigruese për të.

“Unë kam zgjedhë (me 1 milion dilema) ta raportoj ngacmuesin, ku më kanë mbështetë jashtëzakonisht rrethi i ngushtë, por çfarë ndodhë me vajzat e tjera të cilat nuk i kanë privilegjet që unë i kam gjatë këtij rrugëtimi?”, shkroi ajo në Facebook.

“Sqarim: Pretendimi i Avokatit Sherif Sherifi (përfaqësues ligjor i K.K) se i pandehuri nuk ka qenë arsimtar direkt në klasën time është tentim i kotë për ta shmangur nga përgjegjësia personin që e përfaqëson. Unë takimin e parë me të e kam pasur në cilësi të arsimtarit ku ai ka mbajtur orë në klasën time si arsimtar zëvëndësues. Nuk ka fare rëndësi se në cilën klasë ka mbajtur mësim të rregullt, ai ka qenë arsimtar në institucionin ku unë vijoja mësimin”, përfundoi ajo.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci