Kur e gjithë vëmendja e liderëve botërorë është te lufta në Ukrainë, madje edhe te kërcënimet se do të përdoren armë nukleare, lansimi i një rakete balistike në afërsi të Japonisë nga diktatori komunist i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka ngritur shqetësime në Perëndim.
Diplomati dhe historiani Ylber Hysa, megjithëse vlerëson se është shumë herët të flitet për një luftë hipotetike të përmasave nukleare, thotë se bota nuk mund të rri më indiferente karshi rreziqeve të tilla.
Në një prononcim për Albanian Post, ai potencoi se raketa balistike e cila përshkoi 4 mijë e 500 kilometra nga Pyongyang në Oqeanin Pacifik, është vetëm një përpjekje e Koresë Veriore që situatën e jashtëzakonshme në Ukrainë ta përdorë për të demonstruar forcën dhe të jetë në një linjë ideologjike me Kinën.
“Koreja Veriore, njëra nga dy vendet e mbetura komuniste në botë është para mbajtjes së Kongresit të Partisë dhe duhet ta bëjë këtë gjë menjëherë pasi që ta bëjë Kina, për ta demonstruar forcën”.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ia ka ndaluar Koresë së Veriut të testojë armë balistike dhe nukleare, megjithatë ajo ka refuzuar t’i bindet sanksioneve për denuklearizim të vendit, por siç theksoi Hysa, “ky nuk është prelud i një konflikti nuklear”.
Ai shtoi faktin se “koncentrimi më i madh nuklear gjendet në Azi, ku përveç Rusisë, bëjnë pjesë edhe India, Pakistani, Kina dhe Koreja”, dhe rrjedhimisht, përdorimi i armëve nukleare do të ishte vetë shkatërrim për kontinentin aziatik.

Edhe për profesorin e Universitetit të Agder në Norvegji, Abit Hoxha, lansimi i projektilëve koreanë pas pesë vjetësh (e fundit më 2017), është provokim i qëllimshëm dhe shenjë reale se lufta mund të përshkallëzohet, duke marrë për shkas tensionet gjithnjë në rritje të personaliteteve udhëheqëse në Moskë, Pyongyang dhe Pekin ose siç i quan ai “udhëheqësit me ambicie të çmendura” që kanë për qëllim tronditjen e rendit dhe sigurisë globale.
“Skenari i përdorimit të armëve bërthamore nuk është i panjohur. Në ‘Krizën e Raketave’ në Kubë, situata pothuajse erdhi deri tek butoni i kuq. Por duke pasur parasysh se në njërën anë, në Luftën e Dytë Botërore, ka vetëm një rast të përdorimit të armëve të këtij lloji, lidershipi i armëve nukleare nuk mund të marrë një vendim të lehtë për përdorim të tillë”.
Sipas Hoxhës, lufta veçse ka filluar në forma të tjera, ndonëse jo në atë nukleare.
“Lufta tanimë është në frontin e sigurisë së energjisë, sigurisë ushqimore dhe në fund, kërcënimi me luftë të dhunshme që mund të shkoj deri në luftë të madhe”, tha ai për AP dhe shtoi se “asnjëherë më parë nuk ka pasur informacion dhe shpejtësi të lajmeve që mund të parandalojnë luftën në shkallë të gjerë”.
Mirëpo, për Hoxhën, më shumë rrezik paraqet Kina sesa një lëvizje e gabuar në gadishullin korean.
“Besoj se reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kinës në rastin e Tajvanit ishte shumë i qartë dhe sipas raportimeve, porosia është marrë seriozisht por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen e afërt, Kina nuk do të ndërveproj të fus nën kontroll Tajvanin”.
“Ndërsa Koreja Veriore është tjetër rast, ku frika është pjesë e sistemit të qeverisjes dhe lansimi i projektilëve raketor është në funksion të narrativës politike. Pra, gjasat për një luftë të hapur janë më të vogla mes Koresë Veriore dhe Japonisë se sa Kinës dhe Tajvanit dhe rrjedhimisht edhe SHBA”, vazhdoi tutje ai.
Pavarësisht fjalimeve kërcënuese nga Moska, elita ruse ka shumë mundësi të jetë e ndërgjegjshme për kostot dhe përfitimet reale të aventurave të saj ushtarake sepse duket se ata e dinë më mirë se kushdo se fuqia ushtarake nuk të shpie shumë larg në shekullin e njëzetë e një dhe se të ndërmarrësh një luftë të suksesshme do të thotë të ndërmarrësh një luftë të kufizuar.
Për ta përshkruar këtë gjendje cinike të presidentit rus, Vladimir Putin, pas dështimit në terrenin e Ukrainës, Hysa përdorë edhe shprehjen e kancelarit gjerman, Otto Von Bismark: “Me bajonetë mund të bësh gjithçka por nuk mund të ulesh në të”.
“Ukraina ka demonstruar fuqi me një kundër-ofensivë ushtarake dhe vetë fakti që Putini është detyruar ta anulojë të ashtuquajturin ‘Operacion Special’ dhe të shpallë mobilizim më të gjerë tregon se në fakt nuk ka përparim në front”.
Kërcënimi i Putin-it, për të përdorur armë nukleare në Ukrainë nëse kërcënohet “integriteti territorial” ka ngritur pyetjen se si do të përgjigjeshin SHBA dhe Aleanca Veri-Atlantike në rast të një përshkallëzimit të mundshëm.
NATO, argumenton Hysa, “ka arritur të mbajë unitetin dhe kohezionin në të dy anët e Atlantikut dhe ka vazhduar ndihmat në armatimin e Ukrainës duke dhënë rezultatet e para në front”.
Por, Hysa i vetëdijshëm për kapacitetin e Rusisë, mendon se dështimi i Putinit për të bërë sensacion në terren, nuk e përjashton kërcënimin që ai paraqet për rendin dhe sigurinë globale.
Kurse, nga ana tjetër, Hoxha mendon se për faktin se shtetet që posedojnë sot armë bërthamore nuk kanë pasur më herët mundësinë t’i përdorin ato, mund t’iu shkojë në mendje një gjë e tillë.
“Shtetet që nuk kanë pasur armë bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore, tanimë kanë armë bërthamore dhe kjo zgjeron shënjestrën e sulmeve bërthamore tek të gjithë”.
Tensionet janë rritur edhe në Ballkan, sidomos mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit, të cilët e kanë shpeshtuar retorikën kërcënuese edhe përkundër thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA për ulje të tensioneve.
Për Hysën kjo përbën vetëm një retorikë abstrakte e cila si e tillë, nuk paraqet kërcënim, por bëhet vetëm për përdorim të brendshëm.
Sipas tij, Kurti dhe Vuçiq po mundohet të luajnë rolet e aktorëve aktualë në “teatrin e luftës”.
“Fatkeqësisht Kurti në njërën anë dhe Vuçiq në anën tjetër kanë qejf të imitojnë Zelenskyn dhe Putinin por duket se as njëri as tjetri nuk kanë fuqi për ta bërë këtë”.
Hoxha, nga ana tjetër, i cili e njeh mjaftë mirë politikën rajonale, thotë se përveç frikës që prodhojnë narrativa të tilla, ato shkaktojnë efekte edhe në ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
“Paniku i shkaktuar para disa muajsh me rastin e mosmarrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë për targat, ka shkaktuar një valë të madhe blerjesh të ushqimeve rezerva nga njerëzit. Pra, dëmi nuk është vetëm në rrafshin ndërkombëtar por edhe kombëtar”.
Këto pikëpamje nxjerrin në pah atë që do të ndodhte në një duel të beftë të momentit, midis kundërshtarësh të përcaktuar mbi bazën e armiqësisë së tyre të ndërsjellë.
Edhe nëse lufta është katastrofike pēr këdo, asnjë perëndi dhe asnjë ligj natyre nuk mund të na mbrojë nga marrëzia njerëzore./Albanianpost
