Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka komentuar videon e dytë tëpublikuar nga LVV-ja, ku së fundmi përmenden ish-kryeministri Isa Mustafa dhe djemtë e tij si dhe të afërmit e nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Ai tha se një spot i tillë është publikuar me qëllim të të treguarit se çfarë ka ndodhur në të kaluarën me terminalet.
“Janë metoda demokratike, metoda që i përdor çdo subject politik, jo vetëm në Kosovë, por gjithandej në Evropë. Krahasimi i punës sonë të hapjes së terminalit në Durrës është lajm i mirë për Kosovën, po krahas kësaj, ne donim të tregonim se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, tha ai.
Megjithatë, ai e ftuar Lushtakun që ta padisë Lëvizjen Vetëvendosje për shpifje.
“Zoti Lushtaku e dha versionin e tij. E ftoj ta padisë LVV-në për shpifje, mirëpo nuk pajtohem me pjesën ku thotë: më ka djegur Serbia tash edhe LVV-ja. Nëse fshihemi pas serbëve në kuptimin e asaj se tash po më djegin këta. Luftën për çlirim nuk e ka bërë vetëm ai. E ka bërë populli, krahas aleatëve ndërkombëtarë dhe dëshmorëve të rënë”, u shpreh ligjvënësi i pushtetit në RTV Dukagjini.
Rexhaj shprehet i sigurt se Isa Mustafa e djemtë e tij kishin terminale doganore. Ai thotë se këtë e di e tërë Kosova.
