Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, i cili ishte raportuar i zhdukur më 9 prill të vitit të kaluar.
Përmes një konference për media, prokurori i rastit, Armend Hamiti, ka thënë se dje gjatë ditës ka informuar familjarët se në bazë të gjeturave ku bën pjesë profili biologjik, është vërtetuar identiteti i viktimës.
“Në bazë të të gjeturave antropologjike mjeko-ligjore ku bën pjesë përcaktimi i profilit biologjik, krahasimit të gjetjeve ontologjike, si dhe provave të tjera, është identifikuar identiteti i viktimës”.
Ai po ashtu bëri me dije se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, për veprat penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i varreve apo kufomave”.
Prokurori i rastit ka deklaruar se motivi i ekzekutimit të biznesmenit Rexhepi dyshohet të jetë përfitimi i 30 mijë eurove, të cilat dyshohej se i posedonte i ndjeri.
“Pas hetimit, sigurimit të të gjitha provave dhe dëshmive, kam arritur të vërtetojë dyshimin mirë të bazuar dhe kam ngritur aktakuzë ndaj dy personave: Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprës penale ‘vrasja e rëndë në bashkëkryerje’ dhe ‘dëmtimi i varreve apo kufomave'”, ka thënë prokurori Armend Hamiti.
“Motivi i kryerjes së kryerjeve të veprave penale rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30 mijë euro, të cilat të dyshuarit kanë dyshuar se i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon dhe për të cilat kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, ka thënë prokurori.
Bedri Rexhepi më 8 prill 2021 kishte dalë nga banesa e tij në rrugën B dhe që nga atëherë e deri më 30 shtator të këtij viti nuk dihej gjë për fatin e tij. Ndërkohë, që dyshohej se ai ishte rrëmbyer. Për këtë çështje në pranga të policisë kanë përfunduar 3 persona.
Njëri prej tyre ishte paraqitur si agjent i CIA-s, duke paraqitur fakte të rreme tek familja e biznesmenit, kurse tash së fundmi, është arrestuar edhe Jeton Vllasaliu, i dyshuar për rrëmbimin e 39-vjeçarit.
Sipas familjarëve të ndërmarrësit, në ditën kritike kur Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa, kishte qenë nën shoqërinë e klientit të tij, Jeton Vllasaliu.
Ndërsa, një ditë pas zhdukjes, vetura ishte gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit dhe pa shenja për Rexhepin.
Ai punonte me tregtarë të ndryshëm, ndërkaq sipas familjarëve, ai nuk kishte pasur probleme me askënd.
