Emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar sot do të vizitojë Kosovën.
E kjo vizitë sipas Ismet Kryeziut nga Instituti i Kosovës për Demokraci, nuk po bëhet vetëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai thotë se Escobar po viziton Kosovën edhe për zbatimin e e interpretimit të gjykatës kushtetuese për manastirin e Deçanit dhe se zbatimi i këtij vendimi mund të jetë një nga kushtet e fshehura për liberalizimin e vizave.
Më tej, në shkrimin e profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka bërë thirrje ndaj udhëheqësve të vendit dhe partive politike që të marrin përgjegjësi për të nxjerrur Kosovës nga “status quo-ja”.
Shkrimi i plotë i Kryeziut:
Vizita e të dërguarit special të SHBA-së, besoj se nuk ka të bëjë vetëm me dialogun Kosovë-Serbi, por dhe me zbatimin e interpretimit të gjykatës kushtetuese për manastirin e Deçanit?! Përgjegjësia institucionale për zbatimin e vendimeve të gjykatës kushtetuese mund të jetë një nga kushtet e padeklaruara për liberalizimin e vizave. Moment i mirë politik për Kosovën për të ecur përpara me mbështetjen dhe angazhimin proaktiv të diplomacisë amerikane dhe vendeve mike në BE.
Presidentja, Kryeministri dhe liderët e partive politike duhet të lirohen nga populizmat dhe të marrin përgjegjësinë për ta nxjerrur Kosovën nga status quo-ja e gjatë në rrafshin ndërkombëtar.
