Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, deputeti Bekë Berisha, ka thënë se është kundër miratimit të dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, në një fjalim në Kuvendin e Kosovës ku supozohej të prezantonte qëndrimin e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje.
Në vend të prezantimit të qëndrimit të komisionit, deputeti Berisha kritikoi qeverinë për rrjedhën e procedurës së miratimit të Strategjisë së Sigurisë.
Berisha tha se asnjëherë, as ai si kryetar i komisionit dhe as anëtarët e tjerë, nuk janë njoftuar para se të hartohej strategjia.
“Është një dokument frankshtajn, i cili paraqet dokumentet paraprake që kanë qenë të dobëta por këtu sikur është përforcu pak me një fjalim të kryeministrit. Ky dokument i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë nuk është dokument sekret”, tha Berisha.
“Ky dokument është mbajtur fshehtë prej Komisionit për Siguri dhe tash dua ta shpjegoj unë sesi ka shkuar rrjedha e kësaj pune. As unë e asnjëri prej anëtarëve të Komisionit për Siguri nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht në mënyrë që të japim kontributin tonë”, vazhdoi ai.
Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca i reagoi Berishës. Ai e cilësoi të palejushme mënyrën e artikulimit të deputetit të AAK-së.
“Nuk është ai qëndrim i komisionit. Kjo është e palejueshme. Qekaq përvojë keni në prezantimin e komisioneve, përbesë…”, tha Konjufca.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës të hënën, shefi i qeverisë u kërkoi deputetëve të miratojnë Strategjinë e Sigurisë.
Ai tha se kjo strategji është hartuar në koordinim me institucionet vendore, si dhe ato ndërkombëtare, përfshirë të gjitha vendet e QUINT-it.
“Kjo strategji do të prodhojë plane dhe dokumente të tjera, të cilat ndërlidhen me sigurinë kombëtare, sigurinë publike, mbrojtjen dhe diplomacinë. Kjo strategji është hartuar në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore. Ajo i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe me përfaqësitë e shteteve të QUINT-it, por edhe me shtetet e tjera mike, si dhe me akademinë”, tha Kurti.
