Parlamenti i Serbisë ka votuar të mërkurën për Qeverinë e re, ku kabineti i ri do të ketë në krye Ana Bërnabiqin, e cila ka pasur rolin e kryeministres edhe në dy qeveritë e kaluara.
E kjo po duket si vazhdimësi e Serbisë problematike, sipas deputeti të vetëm shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi.
“Vazhdimsia e Serbisë problematike Në Beograd, sot u zgjodh Qeveria e re. Qeveria e vazhdimësisë, siç u quajt. Në bazë të ekspozesë së kryeministres së re (vjetër) Ana Bërnabiq, prioritetet e qverisë mbeten të njëjta. Shefi i qeverisë mbetet i njëjtë”, shkroi ai.
Sipas tij, po vazhdon loja serbe me dy karrige, pa ide të qartë për integrimin evropian, me tendencë të refuzimit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së.
“Vazhdimësi në mohimin e realitetit rreth Kosovës dhe tendencave të prolongimit të marrëveshjes finale. Vazhdimësi në ambiciet për “Botën serbe”. Vazhdimësi në mohimin e përgjesësisë për rolin e Serbisë për luftërat e përgjakshme. Vazhdimësi në glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe mbrojtjes së muraleve të tyre në rrugët e Beogradit. Vazhdimësi në diskriminimin e pakicave. Vazhdimësi me logjikën autoritariste të presidentit “shteti jam unë””, shtoi ai.
Ai alarmoi duke thënë se Serbia, me qeverinë e saj të vazhdimësisë, do të vazhdojë edhe më tej të mbetet problemi serioz i qetësimit të Ballkanit Perëndimor.
