Sikurse Presidentja Vjosa Osmani, edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është i informuar për propozimin franko-gjerman. Të dy janë këshilluar nga aleatët për konfidencialitet maksimal për këtë temë, por Konjufca zbuloi një detaj interesant.
Konjufca ka thënë se në planin franko-gjerman nuk parashihet nota verbale e njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia, por është njohje de-fakto.
“Nëse është një propozim në të cilin nuk përfshihet edhe nota verbale e shtetit serb në raport me shtetin e Kosovës, atëherë do të ishte më pak se ne që i kemi ato synimet e tona. Bile nuk është as maksimale por është optimale, e optimale është realiste, e pra është realiste që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës. Aty si duket është një propozim që të jetë një njohje de-fakto e shtetit të Kosovës, dokumentet, e gjithçka që ka shteti i Kosovës, kufijtë, anëtarësim nëpër organizata..”, ka thënë Konjufca për T7.
Ky është më i hapur për komente rreth kritikave të Departamentit të Shtetit ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me zbatimin e vendimit për targat.
Sipas kryetarit të Kuvendit, miqtë ndërkombëtarë po binden se situata është nën kontroll, pavarësisht se e përsëritën disa herë se janë të zhgënjyer nga ekzekutivi në Prishtinë.
Nëpërmjet një komunikate për media, Lista Serbe paralajmëroi kryeministrin Albin Kurti se pas gjobës së parë që do jepet për targat, do përballet me rezistencë të ashpër.
Ndonëse s’beson në një gjë të tillë, Glauk Konjufca e ka një thirrje për institucionet e vendit.
Nga mesnata ka filluar masa e qortimit të ngasësve të makinave me targat të konsideruara ilegale nga qeveria e Kosovës.
