Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se i ka bërë lutje disa herë krerëve të shtetit, duke filluar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, që të bëhen bashkë dhe ta krijojnë një letër të përbashkët për t’ia deleguar ShBA-së.
Sipas tij, duhet të ketë një qasje apo delegim të çështjes së Kosovës te amerikanët.
Megjithatë, ish-kryeministri u shpreh se liderët institucionalë ia kanë humbur durimin Departamentit të Shtetit, raporton Paparaci.
“I kam bërë lutje disa herë edhe presidentes dhe kryeministrit, kryeparlamentarit, një letër e përbashkët për institucionet e Amerikës, një qasje, një lloj delegimi i çështjes sonë te ata (amerikanët)”.
Në anën tjetër, ai shtoi se kryeministri Albin Kurti nuk e njeh mirë Amerikën.
“Mungesa e një qartësie se a je për me i zgjidh çështjet një nga një. I kam kërkuar Kurtit mos shko prej temës në temë, do ta arrish një hendek diku. Bashkoj këto tema. Mos i trajto një nga një, mos krijo fitore të vogla që ta rrezikojnë fitoren e fundit, finalen. Tash s’ka më durim. Ia kanë humbur durimin departamentit të Shtetit”, shtoi ai në T7.
