Kosova ka barazuar rezultat 2-2 në ndeshjen miqësore ndaj Armenisë, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndeshja nisi me ritëm shumë të ngadalshëm nga të dy skuadrat të cilat nuk arrinin të krijonin raste të mira për, duke u hendikepuar edhe nga terreni i rrëshqitshëm për shkak të reshjeve të shiut.
Gjithsesi, goli i parë u realizua në minutën e 24′ kur Shagoyan i solli epërsinë Armenisë pas një depërtimi në mbrojtjen e “Dardanëve”, raporton KosovaPress.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e mysafirëve, por “Dardanët” e nisën shumë më mirë pjesën e dytë duke e kërkuar golin e barazimit të cil8n edhe e arritën në minutën e 67′ me golin e anësorit Lirim Kastrati nga penalltia.
Kur po pritej që Kosova ta përmbyste rezultatin, mysafirët ndëshkuan duke e shënuar golin e dytë në minutën e 82′ përmes Hovhanisyan.
Deri në fund Kosova nuk u dorëzua duke e kërkuar golin e barazimit dhe e arriti në minutat shtesë përmes Donat Rrudhanit
Gjithsesi, trajneri Alain Giresse mori sinjale pozitive nga disa lojtarë të rinj si Topalli, Bislimi, Krasniqi dhe Valmir Veliu.
Në fundjavë Kosova ballafaqohet me Ishujt Faroe në një tjetër ndeshje miqësore në “Fadil Vokrri”.
