Akuza të pabesueshme po vijnë nga Spanja pas fitores befasuese 2-1 të Arabisë Saudite kundër Argjentinës dje, pasi gazetat spanjolle pretendojnë se argjentinasit e Lionel Messit i lanë vetë rivalët të triumfojnë.
Dyshimet e spanjollëve u ngritën nga golat e sauditëve të cilët erdhën në vetëm pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë.
“Fitorja tronditëse na bën të pyesim jo vetëm se si Argjentina humbi nga skuadra e dytë me më pak vlerë në Kupën e Botës (pas Katarit), por se si sauditët i dhanë fund serisë së Argjentinës prej 36 ndeshjesh pa humbje. Dhe mbi të gjitha, Messi duket se është një promotor i Arabisë Saudite”, thuhet në artikullin e gazetës AS, ku thuhet gjithashtu se Messi së fundi ka nënshkruar një kontratë miliona dollarëshe me qeverinë e Arabisë Saudite.
Spanjollët theksojnë edhe faktin se Arabia Saudite po përpiqet ta fitojë organizimin e Kupës së Botës më 2030 me ndihmën e Messit.
“Ndoshta futbollisti më i mirë dhe më i famshëm në planet nënshkroi një kontratë për të lobuar për Arabinë Saudite në muajin maj. Kontrata flet në mënyrë specifike për investimet shtetërore në turizëm, por nuk mund të mos vërehet se Arabia Saudite dëshiron që ta marrë përsipër organizimin e Kupës së Botës më 2030”, thuhet në artikullin e AS.
Thuhet gjithashtu se Messi ka marrë para për të përmirësuar imazhin e Arabisë Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.
“Kontrata e marketingut nga e cila ai merr një shumë të pabesueshme parash për promovimin e vendit shihet si pastrim i imazhit të vendit, për të mbuluar shkeljet e të drejtave të njeriut, përfshirë vrasjen e gazetarit Khashoggi, shkeljet e të drejtave të grave, LGBT-së etj..”, shtuan spanjollët.
Në fund të tekstit të AS-it thuhet gjithashtu se sipas kontratës së nënshkruar me Arabinë Saudite, Messi mund të jetë promotori i Kupës së Botës në këtë vend dhe jo në Argjentinën e tij, e cila është gjithashtu kandidate për të marrë përsipër organizimin e Botërorit më 2030.
