Në moshën 46 vjeçare ka vdekur artistja e njohur shqiptare Hueyda El Saied, e cila prej kohësh ishte larguar jashtë vendit dhe ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuante.
Prej disa vitesh Hyeda jetonte në Luksenburg së bashku me djalin e saj Gabrielin dhe partnerin e saj, me të cilin pak kohë më parë kishin kurorëzuar edhe martesë.

Hueyda dhe Thierry u martuan në dhjetorin që lamë pas, në një ceremoni private, ndërkohë që artistja i dedikoi edhe një dedikim në ditëlindjen e tij.
“Gëzuar ditëlindjen gjithçka e imja, bashkëshorti im, shpirti im binjak, shoku im më i mirë! Kemi 9 vite që e njohim njëri-tjetrin, 4 vite të dashuruar dhe 9 muaj të martuar, por për mua, 1 jetë nuk mjafton që të të dua çdo minutë.
Gabriel dhe unë jemi me fat që kemi pranë një burrë të zgjuar, shakaxhi, protektiv, me vetbesim, punëtor, të pakrahasueshëm, të sinqertë, të kujdesshëm dhe të kultivuar. Je babai dhe burri më i mirë. Ne e dimë që mund të mbështetemi tek dashuria dhe afeksioni yt. Festofsh ditëlindjen më të bukur”, kishte shkruar ajo në muajin Gusht.
Muajt e fundit gjendja shëndetësore e artistes është përkeqësuar, dhe burimet bëjnë me dije se ajo ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Hueyda El Saied ishte nga ato pak vajza që kishin provuar të bënin gjithçka sa i takon televizionit. Ajo dinte të këndonte, ishte balerinë, moderatore, spikere lajmesh dhe piktore.
