Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se deklarata e përbashkët SHBA-BE si përcaktim që problemet e hapura me Serbinë të zgjidhen me mjete politike, është udhërrëfyes që duhet ndjekur edhe ne si Kosovë.
Sipas tij, falë Amerikës dhe BE-së, edhe një herë u gjet zgjidhja për një situatë shpërthyese në veri të vendit.
“Si gjithmonë edhe këtë herë u dëshmua se partneriteti me ShBA dhe BE nuk ka alternativë”, shkroi ish-kryeministri në Kosovë, raporton Paparaci.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të mërkurën thanë se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
Uashingtoni dhe Brukseli u bënë thirrje të gjithëve që të marrin veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
