Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, është shprehur se janë të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare, kurdo që mbahen ato.
Ai tha se nuk dihet kur do të mbahen zgjedhjet e reja, por sipas tij, PDK është e gatshme për t’i fituar ato.
Kreu i PDK-së thotë se ky subjekt politik është alternativa që e zhvillon vendin më mirë se të tjerët.
“Janë dy çështje që mund të flasim shumë gjatë. Çdo parti politike serioze natyrisht që i futet garës për t’i fituar zgjedhjet. Kjo për neve është vlerësim i madh dhe falënderues ndaj qytetarëve për zgjedhjet lokale. Ne jemi alternative që e zhvillon vendin më mirë se të tjerët. Nuk dihet në Kosovë kur mund të mbahen zgjedhjet, pasi ka pasur befasi. Nuk mendoj se duhet të kemi zgjedhje, duhet të krijojmë stabilitet. Nuk i frikësohemi zgjedhjeve, në vit të ri kryeministri mund të na çojë në zgjedhje. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje kurdo që mbahen ato. Nëse do të ketë zgjedhje, do të jemi në një pozicion të favorshëm. Besoj që do të kishim rezultat të favorshëm dhe do të hymë në garë për të fituar”, tha Krasniqi në Kanal10.
