Pothuajse i gjithë Brazili është kthyer kundër sulmuesit të kombëtares, Neymar, për shkak se ai mungoi në ceremoninë përkujtimore të legjendës Pele.
“Mbreti i futbollit” u varros dje, derisa në stadiumin e Santos u bënë edhe homazhe në nderim të vdekjes së 82-vjeçarit, ku nuk munguan pothuajse askush, përpos Neymar.
Pikërisht mungesa e tij në homazhet ndaj Peles ka acaruar miliona njerëz në Brazil, pasi ai shihet si udhëheqës i kombëtares, kurse Pele ka një vend të padiskutueshëm në zemrat e simpatizuesve brazilian.
Në emisionin televiziv “Brasil Urgente”, prezantuesi Zhoze Luiz Datena, nuk ngurroi ta kritikonte publikisht mungesën e tij në homazhet për Pele.
“Të gjithë mendonin se Neymar duhej t’i bënte presion PSG-së që ta lejonte të udhëtonte drejt Brazilit, por tashmë duket e qartë se ai nuk shfrytëzoi as ditën e pushimit që i ishte dhënë nga klubi për ta bërë një gjë të tillë”.
“Nëse Neymar do të dëshironte të vinte, do të kishte ardhur. Neymar mund t’i bënte presion PSG-së që të vinte këtu. Ai e ka bërë shpesh një gjë të tillë për të ardhur për festa, pse të mos ia kërkonte PSG-së edhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit Pele. Mendoj se Neymar, si futbollist brazilian, kishte detyrimin që të vinte për nderimet e Pele. Ishte diçka e rëndësishme për futbollin brazilian”, shpërtheu në kritika prezantuesi, fjalë që janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale me të gjithë që kritikojnë yllin e futbollit për veprimin e tij.
