Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetin britanik David Lammy, njëherësh Sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas njoftimit të Zyrës për media të Kuvendit, në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Gjithashtu thuhet se janë shkëmbyer mendime në lidhje me zhvillimet aktuale politike në vend, rajon e më gjerë.
“Kryetari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, teksa u shpreh mirënjohës për rolin e saj të veçantë në çlirimin, pavarësinë, shtetndërtimin dhe rrugën integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës. Ai po ashtu kërkoi nga Mbretëria e Bashkuar përkrahje të mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, duke përfshirë fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit kryetari i Kuvendit dhe deputeti britanik Lammy, kanë ritheksuar përkushtimin për vazhdimin e partneritetit të fuqishëm dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
