Deputetja e LDK-së Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar deputetët e Vetëvendosjes për moskalimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Deputetja Rrezarta Krasniqi, e ftuar në emisionin #Gjesi, në rubrikën “Kafja Express”, u shpreh se qytetarët kanë pritë që të kalojë Trusti, por asaj ia merr mendja se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për herë të parë kanë hapur xhirollogari pasi shumica prej tyre ishin studentë dhe puna e parë që kanë bërë është puna e deputetit.
“Qytetarët kanë pritë të kalojë Trusti, ma merr mendja që nuk kanë Trust deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, për arsye se shumica kanë çel xhirollogari për herë të parë. Sepse punën e parë që bëjnë në institucione është ajo e deputetit, shumica prej tyre prej studentit janë bërë deputetë dhe kjo është shumë shqetësuese”, u shpreh deputetja Krasniqi.
Ajo pyeti se për kë punon Lëvizja Vetëvendosje, nëse nuk u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.
“Duke parë që është rritur edhe tatimi në pronë, deputetët që i përfaqësojnë qytetarët e Republikës së Kosovës nuk arritën të kalojnë as Trustin, e nëse i përfaqësojnë qytetarët del kundër kërkesës së tyre është një shqetësim shumë i madh dhe duhet t’i përgjigjet dikush kërkesave të qytetarëve. Duhet të na tregojë Lëvizja Vetëvendosje se për kënd janë duke qeverisur”, tha ajo.
“Nuk kemi asnjë punë të mirë, për dy vite, u rritë tatimi në pronë, çmimi i energjisë, çmimi i naftës, çmimet e produkteve elementare janë rritur. Nuk është rritë rroga e pensionet”, u shpreh ajo.