Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë ka shqiptuar të enjten aktgjykimin për apelin sa i përket rastit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë shpallur fajtorë në shkallën e parë.
Ish-krerët e OVL-UÇK janë dënuar me nga katër vjet e tre muaj, duke iu ulur për tre muaj dënimi ndaj tyre. Në dënim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i 2020’s.
Sipas kryetares së trupit gjykues të Apelit, kundër Gucatit dhe Haradinajt vazhdon të mbetet në fuqi dënimi me gjobë prej 100 eurosh.
Gjykatësja e Panelit tregoi se do të mbeten të dytë në paraburgim në Hagë derisa të finalizohet masat në këtë çështje e pastaj të transferohen në shtetin ku do të vuajnë dënimin.
Gjithashtu, apeli tha se dënimi shqiptohet ‘në emër të popullit të Kosovës’.
Megjithatë, më 18 maj 2022, Gucati dhe Haradinaj ishin shpallur fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.
Ata të dy janë në paraburgim në Hagë që nga shtatori i vitit 2020 dhe koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënim.
Avokatët e Gucatit dhe Haradinaj menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në shkallën e parë apeluan vendim, patën thënë se presin zvogëlim të dënimit.
Ata argumentonin se një dënim i tillë “është dukshëm i tepërt dhe përtej ndonjë dënimi të shqiptuar më përpara në ndonjë tjetër rast të krahasueshëm”.
Haradinaj dhe Gucati ishin arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ata dyshohej se po atë vit, përmes disa konferencave për media, në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kishin shpërndarë për gazetarët dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj kishin zbuluar informacion të mbrojtur, duke synuar që të zbulonin qindra dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Prokuroria e Specializuar ka argumentuar se me shqiptimin e dënimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt është “vendosur drejtësi”.
“Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit”, deklaronte prokurori i atëhershëm i Specializuar, Jack Smith.
Sipas aktakuzës, dokumentet që u shpërndan nga Gucati dhe Haradinaj, kanë pasur emra të dëshmitarëve potencialë të cilët do të mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-krerëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Këta të fundit akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe pritet që gjykimi ndaj tyre të nisë në mars.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Gjykata ka selinë në Hagë, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
