Ambasada e ShBA-së do ta organizojë edhe nesër një diskutim mbi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Kjo mbledhje do të jetë jo-formale dhe do të mbahet në rezidencën e ambasadorit Jeff Hovenier, në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Një diskutim i tillë – ndonëse në format zyrtar – u mbajt më 31 janar, 2023.
Paparaci mëson se ftesa i është dërguar zyrtarëve qeveritarë, politikanëve opozitarë dhe anëtarëve të shoqërisë civile të cilët ishin prezent para nëntë ditësh për të njëjtën çështje në ambasadë.
Takimi i nesërm mbi Asociacionin do të fillojë në ora 18:30 dhe do të mbarojë në ora 20:00.
Deri më tani nuk dihet se cilët qeveritarë apo politikanë opozitarë kanë pranuar pozitivisht ftesën e ambasadorit Hovenier.
Herën e fundit, në një diskutim rreth Asociacionit, nuk ishte i pranishëm kryeministri Albin Kurti, i cili kishte thënë se nuk ka marrë ftesë për një gjë të tillë.
Por, për dallim prej tij, në atë takim ishin prezent disa ministra dhe shefi i kabinetit të tij, Luan Dalipi.
Megjithatë, marrëveshja për krijimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Zyrtarët në Kosovë thonë se nuk mund të krijohen asociacione njëetnike, ndërsa ata në Serbi këmbëngulin në formimin e Asociacionit të dakorduar.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar insistojnë në themelimin e tij, pa cenuar kushtetutshmërinë e Kosovës.