Deputetja Fitore Pacolli ka thënë se kryeministri Albin Kurti “e ka detyruar Serbinë” t’ia njohë pasaportën Republikës së Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, një ditë pasi krerët e dy shteteve u takuan në Bruksel për t’u pajtuar për tekstin e propozimit evropian, por pa e nënshkruar, Pacolli ka vlerësuar se me të njihen dokumentet, e sipas saj, “kur ta njeh pasaportën, ta njeh shtetin”.
Megjithatë, në propozim nuk përfshihet njohja de jure.
“Të dyja palët do t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore” është neni i parë i tekstit për të cilin janë pajtuar palët. Për këtë ka shkruar Pacolli.
“Dje, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, në Zyrat e Shërbimit të Jashtëm, ndër të tjera tha që me Propozimin e BE-së, Serbia do t’ia pranojë Republikës së Kosovës pasaportën e saj. A më thotë dikush se kush është njeriu që e detyroi Serbinë që t’ia njohë Republikës sonë pasaportën, e cila është dokumenti simbolik më i rëndësishëm i një shteti të pavarur në marrëdhëniet me jashtë? Natyrisht, Kryeministri Kurti”, ka shkruar ajo.
Më tej, sipas saj, “politikanët e së shkuarës vetëm i jepnin Serbisë; tash jetojmë në kohë kur Serbisë nuk i japim më asgjë”.
“Nga negociata për çështje të brendshme tash bëjmë negociata për pranim të shtetësisë e raporte të barabarta në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka përfunduar Pacolli.
