Foto nga ‘arrestimi’ i Donald Trump kanë qarkulluar prej ditës së djeshme në rrjetet sociale.
Në fakt, fotot janë krijuar përmes Inteligjencës Artificiale, pas deklaratës së tij se do ta arrestonin, për një akuzë që lidhet me një pagesë 130.000 dollarëshe ndaj yllit të pornografisë, Stormy Daniels, më 2016.
Nëse arrestohet, atëherë ai do të bëhet ish-presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballet me akuza penale.
Më 2016, ylli i filmave pornografikë, Stormy Daniel i ka kontaktuar disa media, duke u ofruar shitjen e materialeve të një afere, që ajo ka supozuar se e ka pasur me Trumpin, më 2006. Ekipi i Trumpit është angazhuar në këtë rast dhe avokati i tij, Michael Cohen, e ka paguar 130.000 dollarë Danielsin që të heshtë.
Megjithatë, kur Trump e ka rimbursuar Cohenin, në regjistrat zyrtarë thuhet se pagesa është kryer nën arsyetimet për angazhime ligjore.
Prokurorët kanë thënë se kjo vërteton që Trump i ka falsifikuar dokumentet biznesore dhe kjo përbën kundërvajtje, vepër penale në Nju Jork. Fshehja e një krimi, duke falsifikuar dokumentet, në Shtetet e Bashkuara trajtohet si shkallë më e lartë krimi, sesa shkeljet tjera.