Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka dënuar sulmin fizik të ushtruar ndaj gazetarit, Valon Syla nga tre persona të dyshuar, të cilët u arrestuan të martën.
UNMIK-u tha në një komunikatë për media se çdo sulm ndaj lirisë së fjalës së lirë është i papranueshëm.
“PSSP Ziadeh pret një hetim të plotë dhe të drejtë për t’i sjellë autorët para drejtësisë dhe për të siguruar që të drejtat e njeriut mbrohen. Sulmi ndodhi vetëm një javë pas vizitës së Raportueses Speciale të OKB-së për Lirinë e Opinionit dhe Shprehjes, Irene Khan, e cila u kërkoi autoriteteve të Kosovës t’i japin përparësi hetimeve dhe ndjekjeve penale të sulmeve kundër gazetarëve. PSSP Ziadeh i uron gazetarit të lënduar shërim të shpejtë”, thuhet në njoftim.
