Komandanti i Policisë në Pejë, Nue Nikolla ka dhënë detaje për mediat lidhur me rastin e rëndë që ka goditur sot Pejën ku një i ri ka vrarë nënën e tij.
Sipas Nikollës, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin, ndërsa në vendngjarje kanë ardhur edhe ekipet e tjera relevante.
“Menjëherë në vend të ngjarjes kanë konstatuar se bëhej fjalë për një vrasje të rëndë dhe kanë arrestuar dhe prangosur kryerësin e rastit. Arrestimi është kryer nga patrulla policore. Është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes, pastaj vendit të ngjarjes i janë përgjigjur të gjitha njësitet. Jemi në fazën e hetimeve dhe meqë kemi të bëjmë me rast brenda familjes, këto janë të gjitha informacionet që mund të japim për momentin.”, tha Nikolla.
I pyetur lidhur me motivet e ngjarjes, Nikolla tha se ende nuk janë zbardhur të gjitha motivet.
“Ende nuk janë sqaruar të gjitha motivet, por jemi në fazë fillestare dhe ditët e orët në vijim do të bëhen të ditura.”, tha Nikolla.
Ai ka thënë se i dyshuari nuk ka pasur precedent penal më herët.
“Unë si komandant stacioni nuk kemi pranuar informacion se kemi pasur të bëjmë me ndonjë rast të raportuar më herët në stacionin e Pejës.”, tha Nikolla. /Paparaci.com/
