Të fundit

Shefi i AKI-së ftohet në raportim pas përfshirjes në aferën e dyshuar për shantazh

Shefi i AKI-së, Petrit Ajetit do të ballafaqohet javën e ardhshme me informatat për takimin e dyshuar të tij me kryegjyqtaren kushtetuese Gresa Caka-Nimani. 

Të premten e ardhshme, shefi i inteligjencës Petrit Ajeti do të ballafaqohet me informatat për takimin e dyshuar të tij me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

Shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) është ftuar për raportim në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, ka bërë të ditur të mërkurën kryetarja e komisionit, Ganimete Musliu.

Musliu, në një përgjigje me shkrim për Paparacin, ka thënë se si udhëheqëse e komisionit nuk ka marrë ende konfirmim zyrtar për takimin e dyshuar mes Ajetit dhe Caka-Nimanit, për të cilin raportoi Paparaci bazuar në informatat që posedon.

Ajo tha se nga AKI-ja është informuar se raportimi i shefit të inteligjencës para komisionit është caktuar për datën 28 prill, të premten e javës tjetër.

“Si Komision Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, detyrë kryesore e kemi mbikëqyrjen apo kontrollin demokratik të AKI-së dhe për rastin në fjalë kemi adresuar ftesën me shkrim qe më 26 prill 2023, drejtori i AKI-së që të raportojë para Komisionit Parlamentar për rastin në fjalë”, ka thënë Musliu për Paparacin.

“Nga kabineti i drejtorit kemi marre përgjigjeje me shkrim se në këtë datë drejtori nuk mund të raportojë për shkak se nuk gjendet në Kosovë dhe na ka njoftuar se nga data 28 prill është i gatshëm të vijë para Komisionit”.

Sipas deputetes së PDK-së, raportimi për takimin e dyshuar mes Ajetit dhe Caka-Nimanit përbën një informatë të rëndësishme për t’u verifikuar.

Ajo ka thënë se si Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe AKI-ja, janë “institucione të rëndësishme shtetërore.

“Gjykata kushtetuese dhe AKI-ja janë dy institucione të rëndësishme për shtetin tonë. Prandaj në asnjë rrethanë nuk guxojmë të lemë dyshime për cenimin e kredibilitetit dhe pavarësisë së tyre”, ka thënë Musliu.

Shefi i AKI-së u denoncua për shantazh të gjyqtarëve kushtetues

Paparaci, ka raportuar të dielën për një takim të realizuar mes udhëheqësve të shefit të AKI-së me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, të ndodhur në ditën e fundit të marsit 2023.

Aty, sipas informacioneve që posedon Paparaci, shefi i inteligjencës i kishte dorëzuar kryegjyqtares kushtetuese një memo me elemente të dyshuara shantazhuese për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas të dhënave që posedon Paparaci, memo-ja përmbante të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Shefi i AKI-së denoncohet për shantazh të gjyqtarëve kushtetues

Paparaci ka siguruar një dokument me anë të së cilit janë informuar partnerët perëndimorë lidhur me këtë takim që duket tepër serioz dhe shqetësues. Informata ka dalë nga AKI-ja, institucion ky i drejtuar nga Ajeti.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Gjykata Kushtetuese nuk e kanë mohuar mbajtjen e takimit mes udhëheqësve të dy institucioneve.

AKI-ja, në një reagim për media të dielën, i ka hedhur poshtë informatat e Paparacit. I ka cilësuar “të pavërteta”.

Megjithatë, AKI-ja nuk është deklaruar për realizimin e takimit mes Ajetit dhe Caka-Nimanit. Nuk është deklaruar as për qëllimin e takimit, por është shprehur se “bashkëpunon me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.”

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë hedh poshtë dhe i cilëson të pavërteta pretendimet e artikullit të publikuar”, thuhet në deklaratën e AKI-së. “AKI, në bazë të detyrave të përshkruara me ligj, bashkëpunon me të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Pretendimet e shkrimit në fjalë, provojnë që të mashtrojnë opinionin publik dhe njëkohësisht të dëmtojnë kredibilitetin e AKI-së”.

Informatat e raportuara nga Paparaci i ka mohuar publikisht edhe Gjykata Kushtetuese, në një deklaratë për media të dielën në mbrëmje.

Dyshime për abuzim të detyrës zyrtare 

“Vepër penale” dhe “tërësisht të pavend” e ka cilësuar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vizitën e dyshuar të shefit të AKI-së, Petrit Ajeti në Gjykatën Kushtetuese.

Hasani ka thënë se nëse dëshmohet që shefi i inteligjencës ka vizituar Gjykatën Kushtetuese, ai është implikuar në abuzim të detyrës zyrtare.

“AKI-ja asnjë autorizim dhe asnjë pikë bashkëpunimi me Gjykatën Kushtetuese nuk e ka, asnjë. AKI mund ta vizitojë Gjykatën Kushtetuese vetëm nëse ka ndonjë raport personal, apo muhabet me dikë, ose kur të zgjidhet kryetari shkon me ia uru, e as kjo nuk është me vend”, tha Hasani të martën në Klan Kosova.

Hasani ishte shprehur se Gjykata Kushtetuese nuk e ka mandat luftimin e krimit, prandaj “AKI-ja nuk merr leje nga ky institucion për zhvillim të hetimeve qoftë brenda institucionit të gjykatës”.

“Ai ka kryer vepër penale” – çka tha Enver Hasani për aferën e shefit të AKI-së?

“Nëse AKI-ja ka informata se kushdo qoftë, nga vozitësi deri të shefi i GJK-së, janë të involvuar në aktivitete që rrezikojnë sigurinë e shtetit, ai ose ajo mund t’i raportojë dhe i dërgon pjesën jo penale shefit të shtetit dhe prokurorisë. Asnjëherë nuk guxon dhe nuk ka të drejtë ta lajmërojë dhe t’i thotë kryetares së Gjykatës me supozim se aty fshihet një terrorist, sepse nuk është mandat i Gjykatës Kushtetuese ta luftojë krimin”.

“Ai nuk guxon të shkelë në oborrin e Gjykatës Kushtetuese, agjentët e AKI-së nëse kanë me operu, me përgju, me bë diçka aty, ata i kanë procedurat se si marrin leje për një gjë të tillë, por lejen nuk e marrin nga Gjykata Kushtetuese”, përfundoi ai. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci