Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili po vazhdon të jetë kritike ndaj qeverisë Kurti sa i përket reformave në drejtësi që ishin edhe premtim elektoral i tyre.
Kica- Xhelili ka thënë se planifikimi i Ministrisë së Drejtësisë që të rrisin numrin e anëtarëve në Këshillin Prokurorial në 19 ose 21 po bëhet për ta kapur sistemin e drejtësisë.
Sipas saj, rritja e numrit në 19 ose 21, kur me ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës që u rrëzua nga Kushtetuesja ishte propozuar reduktimi në 7 anëtarë po bëhet që ky institucion t’i përfillë instruksionet e Qeverisë në drejtësi.
“Me këtë sistem prokurorial kaq të ndjeshëm, kaq të ngathët, e me kaq mosbesim publik, kam menduar që nuk ka si bëhet më keq në një vend demokratik. E paskam pasur gabim.”, ka thënë Kica – Xhelili.
Ky është postimi i plotë:
“Reforma” eksperimentale në drejtësi
Në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) janë 13 anëtarë. Ministria e Drejtësisë (MD), me projektligjin për KPK të cilin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, përcaktonte ta reduktojë numrin në 7.
Tani nga MD thonë që planifikojnë të jenë 19 ose 21 anëtarë. Rreth 180 prokurorë krejt Kosova, një pjesë e madhe e emëruar gjatë kësaj qeverie, e rreth 20 anëtarë – më shumë se kudo në rajon – t’i ketë KPK-ja – 10% të totalit të numrit të krejt prokurorëve.
E kam thënë më herët dhe po e them prap: Kjo nuk ka të bëj me pavarësim të sistemit të drejtësisë. Kjo ka të bëj me përfshirje të individëve të zgjedhur e votuar nga kjo shumicë parlamentare si anëtarë të KPK, që të sigurojnë se përfillen instruksionet e Qeverisë në drejtësi.
Me këtë sistem prokurorial kaq të ndjeshëm, kaq të ngathët, e me kaq mosbesim publik, kam menduar që nuk ka si bëhet më keq në një vend demokratik. E paskam pasur gabim. /Paparaci.com/
