Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj pretendoi sonte se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rrëshqitur në lojën dhe skenarin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Selmanaj thotë se Kurti po e prish çdo segment dhe etapë që po e prek, teksa shtoi se ai nuk ka strategji apo platformë sa i përket procesit dialogues.
“Kurti në secilën situatë, etapë, segment që po prek, është ka e prishë”, tha ai në Debat Plus. Sipas tij, marrëveshja me Serbinë është interes kombëtar për Kosovën.
“Ai nuk ka as platformë, as strategji, as ide nuk ka ku ka hyrë në çfarë procesi kompleks dhe shumë delikat. Nuk është i lehtë si proces por duke e parë këtë se çfarë qasje ka, i papërgatitur, pa ide, pa strategji frikësohem se edhe me padije në situata të caktuara e fut vendin në qorrsokakë që më pas kthim prapa nuk ka”, tha ai, teksa komentoi edhe Marrëveshjen e Ohrit.
Ligjvënësi opozitar shprehet se vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë i tejkalon marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015.
“Nëse Serbia s’del përgjegjëse për krimet në Kosovë atëherë edhe e drejta e viktimave për të kërkuar kompensim dëmi s’do të ketë adresë. Deklarata për të pagjeturit, mënyra se si është trajtuar, Kosova ka marrë obligime që nuk i takojnë, ose duke hequr nocionin të zhdukurit me dhunë që mendoj që e ka amnistuar Serbinë si shtet për nga përgjegjësia e saj ndërkombëtare dhe jo individuale, por këto më pas kanë pasoja sepse nëse Serbia nuk del përgjegjës për krimet që kanë ndodhur në Kosovë atëherë edhe e drejta e viktimave për të kërkuar kompensim dëmi nuk do të ketë adresë”.
Ai shprehet se me deklaratën për të pagjeturit, është bërë një hap tutje në dëm të interesave të shtetit të Kosovës.
Duke folur për situatën në veri të vendit, Selmanaj theksoi se nuk është koha për veprime populiste pasi “mund të shkaktohen dëme të mëdha për vendin”. Ai shtoi se asnjë hap në veri nuk duhet bërë pa aleatët ndërkombëtarë.
