Ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, ka folur në emër të QUINT-it, pas takimit të zhvilluar të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkak të tensioneve në veri.
Hovenier tha se kanë kërkuar nga Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Sipas tij, “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.
“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier.
Megjithatë, diplomati amerikan nuk pranoi të thotë nëse Kurti e ka pranuar këtë rekomandim ose jo, transmeton Paparaci.
Ai deklaroi se Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin.
Prandaj, ai tha se një qasje e tillë do të duhej të aplikohej edhe për punën e tyre.