Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Moldavi me dy liderët e Francës dhe Gjermanisë, presidentin Emanuel Macron dhe kancelarin Olaf Scholz. Në këtë takim, sipas Presidencës, Osmani ka kërkuar qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundër tendencave që po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Prezent në këtë takim ka qenë edhe Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi. Presidentja ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga Vuçiqi dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve. Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas njoftimit, në takim me Macronin e Scholzin, Osmani rikonfirmoi qëndrimin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në tërësinë e tyre. /Paparaci.com/