Pas një takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në praninë e Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, evropianët paraqitën tri kërkesa të qarta për veriun.
Eprorët e Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak pritet të marrin sot raportimin nga dy emisarët rreth qëndrimit të Qeverisë së Kosovës për kërkesat perëndimore ndaj zgjidhjes së krizës në veri.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti të hënën, Escobar tha se perëndimi i ka dhënë dy ditë afat Qeverisë së Kosovës për t’i kthyer përgjigje kërkesave të paraqitura nga perëndimi javën e kaluar mbi de-eskalimin e situatës në veri.
“E para është deeskalimi, e dyta është duam të shohim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta duhet menjëherë të lëvizim drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që nënkupton se duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa nga Serbia. Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha Escobar në një takim me gazetarë.
Pas një takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në praninë e Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, evropianët paraqitën tri kërkesa të qarta për veriun.
“Zgjedhje të reja menjëherë; sigurim të pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës; fillim të punës për themelimin e Asociacionit”, shkroi në formë të prerë Borrell pas takimit të enjten e shkuar.
Sat down with @predsednikrs and discussed with @VjosaOsmaniPRKS the dangerous situation in north of Kosovo.
With @EmmanuelMacron & @Bundeskanzler we met together and bilaterally with President Vucic and President Osmani. pic.twitter.com/2VRvS8B8jm
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) June 1, 2023
Nga qeveria, pas takimit të së hënës në mbrëmje, u komunikua për një takim tre-palësh Kurti-Escobar-Lajçak në të cilin u “shkëmbyen ide e mendime”. Nuk u njoftua të jenë vendosur afate lidhur me de-eskalimin e situates në komunat veriore.
Por, eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa nuk kanë komentuar afatin e vendosur nga ndërkombëtarët, kanë reaguar kundër deklarimeve të Gabriel Escobar. Escobar, të martën në një takim me gazetarë, tha se Shtetet e Bashkuara “janë gjithmonë pranë popullit të Kosovës”, por siç tha ai, kjo “nuk do të thotë se do të jemi krah një individi”.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, në një reagim publik të martën, tha se një “popull nuk i nënshtrohet një emisari”.
Ndërkaq, liderët e dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK janë shprehur të shqetësuar në lidhje me situatën në veri, pas takimit me emisarët Lajçak dhe Escobar të martën.
Ata, në deklarime të ndara për media, deklaruan se situata nuk është e favorshme për Kosovën.
